(VIDEO) Rreth 30 kontrollorë ajror paralajmërojnë dorëheqje

by admin
Spread the love

Presioni ndaj Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror vetëm tregon se jemi në rrugën e duhur dhe na jep inkurajim shtesë për të vazhduar aktivitetet tona, deklaroi sot kryetari i sindikatës  Aleksandar Tasevski. Ai në konferencën e sotme për media para objektit të Navigacionit të Maqedonisë së Veriut (M-NAV), konfirmoi se të mërkurën ishte thirrur në stacionin policor.  Ai thotë se 2 nga 3 drejtorët e M -NAV kanë ngritur kallëzime penale ndaj tij.

ALEKSANDAR TASEVSKI, KRYETAR I SINDIKATËS SË KONTROLLORËVE TË TRAFIKUT AJROR

“Gjatë mëngjesit të djeshëm jam thirrur me telefon në departamentin e krimit të dhunshëm në Ministrinë e punëve të brendshme, ku më është paraqitur kallëzimi nga drejtorët Fahrudin Hamidi dhe Hasim Deari, të cilët kanë bërë kallëzim penal kundër meje, në bazë të një emaili që iu është dorëzuar, për gjoja kërcënim për jetën dhe sigurinë e tyre, sipas nenit 144 paragrafi 2 i Kodit Penal. Para së gjithash, unë vërtetoj me shumë përgjegjësi se përmbajtja e atij emaili nuk përmban asnjë kërcënim”.

Sipas Tasevskit e gjithë kjo është një formë presioni që sindikata të heqë dorë nga aktivitetet e saj, e drejtuar jo vetëm kundër tij si udhëheqës, por, siç tha ai, ndaj të gjithë profesionistëve që kanë treguar virtyt në të kaluarën dhe kanë ngritur zërin për ta mbrojtur profesionin nga klientelizmi dhe nga punësimet e panevojshme dhe joprofesionale. Para fundit të vitit të kaluar, udhëheqësit e inxhinierëve dhe teknikëve në M-NAV dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre dhe u tërhoqën nga projektet në të cilat punonin, ndërsa Tasevski paralajmëron se nga dita e sotme të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe kontrollorët e trafikut ajror.

ALEKSANDAR TASEVSKI, KRYETAR I SINDIKATËS SË KONTROLLORËVE TË TRAFIKUT AJROR

“Si hap i parë që mund të përmend duke filluar nga sot do të fillohet me dorëheqjen e të gjithë atyre kontrollorëve dhe ndihmëskontrolluesve të trafikut ajror që kanë funksione drejtuese, funksione  të instruktorëve ose janë drejtues të turneve. Ata do të tërhiqen nga pozicionet e tyre dhe nga projektet në të cilat janë përfshirë. Kjo do të mbështesë të gjitha aktivitetet e mëparshme të sindikatës si dhe ato që do të pasojnë”.

Tasevski tha se hapat e fundit me dorëheqjet shkaktuan frikë tek drejtorët, por jo frikë për sigurinë e tyre, por për karriget e tyre, gjë që sipas tij, tregoi se duhet të vazhdojnë të ecin në të njëjtën rrugë dhe të qëndrojnë besnikë ndaj asaj  duan të arrijnë. Ai pret që sot nga postet në M-NAV të japin dorëheqje 20 deri në 30 persona, këtë herë kontrollorë, të cilët do t’i bashkohen inxhinierëve dhe teknikëve. I pyetur nëse do të organizojnë sërish grevë, Tasevski tha se në ditët në vijim nuk pret që një gjë e tillë të ndodhë, por nëse gjërat vazhdojnë të zhvillohen në të njëjtën mënyrë, nuk do të ketë vetëm grevë të kontrollorëve, por të gjithë punonjësve të M-NAV. “Do të jetë një mbyllje totale e hapësirës ajrore”, theksoi Tasevski.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING



You may also like