BERLIN – Polonia i kërkon Gjermanisë dhënien e raketave Ukrainës

by admin
Spread the love

BERLIN, 28 prill /ATSH-DPA/ – Pas dorëzimit të raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski shpreson që kancelari gjerman Olaf Scholz të ndryshojë mendje dhe t’i sigurojë vendit të sulmuar raketat gjermane ”Taurus”.

“Shpresoj që kancelari të ndihet i inkurajuar nga ngjarjet e ditëve të fundit”, tha Sikorski në një intervistë me gazetën gjermane ”Bild am Sonntag” në Varshavë.

Sikorski e përshkroi dërgimin e raketave amerikane ATACMS në Ukrainë si një “reagim ndaj përshkallëzimit rus” në Ukrainë, të cilit duhet t’i përgjigjet edhe Gjermania.

Pak ditë më parë u bë e ditur se Ukraina kishte marrë raketa me rreze të gjatë ATACMS nga SHBA.

Megjithatë, Pentagoni nuk dha ndonjë detaj specifik nëse këto ishin modele me një distancë prej rreth 300 kilometrash apo ato me një rreze më të shkurtër.

Mediat raportuan se ato ishin modelet me rreze më të gjatë.

SHBA kishte dërguar tashmë raketa ATACMS me një rreze më të shkurtër vitin e kaluar.

Scholz deri më tani ka refuzuar prerazi furnizimin me raketa ”Taurus” në Ukrainë.

Ai ka frikë se Gjermania mund të tërhiqet në luftë nëse sigurohen raketat me rreze veprimi prej 500 kilometrash.

“Rusët tashmë kanë mbyllur 70% të kapacitetit të prodhimit të energjisë në Ukrainë. Ky është në fakt një krim lufte”, vazhdoi Sikorski.

“Unë mendoj se ne të gjithë e dimë tani se Putini reagon vetëm ndaj presionit, ndaj argumenteve më të ashpra të forcës”, theksoi ai./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like