(VIDEO) Nëse qeveria nuk shkarkon drejtorët e M-NAV, më 10 janar do të mbyllet hapësira ajrore e vendit

by admin
Spread the love

Kryetari i Sindikatës së kontrollorëve të trafikut ajror M-NAV, Aleksandar Tasevski, sot, me ftesë të delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoni, diskutoi për zhvillimet e fundit në M-NAV. Sipas tij, të gjitha gjërat për të cilat kanë paralajmëruar po dalin në shesh dhe delegacioni i BE-së ka qenë plotësisht i vetëdijshëm për të gjitha zhvillimet në M-NAV. Tasevski deklaroi se si sindikatë presin që qeveria ta përmbushë premtimin e saj, që të shkarkohet menaxhmenti i M-NAV. Ai potencoi se nëse kjo nuk respektohet, nga 10 janari do të  mbyllin hapësirën ajrore mbi Maqedoninë e Veriut, sepse sipas tij  edhe beteja po bëhet për të garantuar sigurinë e çdo pasagjeri që udhëton me avion.

ALEKSANDAR TASEVSKI, KRYETARI I SINDIKATËS SË KONTROLLORËVE TË TRAFIKUT AJROR

 “Ne kemi një mirëkuptim shumë të mirë me institucionet që funksionojnë ashtu siç duam të funksionojmë edhe ne. Është për të ardhur keq që kjo po bën jehonë kudo, por ne kemi mbështetjen tonë të plotë. I kemi njoftuar të gjitha sindikatat në Evropë, kemi përkrahje, madje edhe ardhja këtu po organizohet si mbështetje”.

Ai theksoi se menjëherë pas sulmit në M-NAV, kanë kërkuar nga MPB-ja që të ndërmarrë të gjitha aktivitetet për gjetjen e fajtorëve, por edhe për sigurimin e objektit të Navigacionit të Maqedonisë.

ALEKSANDAR TASEVSKI, KRYETARI I SINDIKATËS SË KONTROLLORËVE TË TRAFIKUT AJROR

“Kërkojmë nga Ministria e Brendshme zbardhjen e të gjithë autorëve të ngjarjes, nisjen e procedurave përkatëse, pavarësisht nëse personat kanë qenë punonjës, bashkëpunëtorë në të gjithë këtë proces apo persona që kanë hyrë brenda. Kemi kërkuar që të  caktohen personat të cilët do të jenë sigurimi i objektit, sepse padyshim që shërbimi i sigurisë nuk është funksional për ne, pasi që personat që nuk janë të punësuar kanë arritur të hyjnë në objekt”.

Ndërkaq mbrëmë nga qeveria njoftuan se në seancën e ardhëshme pritet që qeveria ti miratojë disa vendime për zgjidhjen e situatës në M NAV, pas sulmeve ndaj kontrollorëve të trafikut ajror. Nga atje thonë se do të shkarkohen drejtorët dhe I gjithë bordi drejtues i M-NAV. “Do të shkarkohet i gjithë menaxhmenti dhe të gjithë anëtarët e Bordit Drejtues dhe të hapet një procedurë urgjente për zgjedhjen e anëtarëve të rinjë të udhëheqësve dhe bordit drejtues në një proces publik, transparent dhe të përcaktuar me ligj”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Të enjten  në ora 15:30 një  person i punësuar në M-NAV së bashku  me disa persona të tjerë  kanë sulmuar fizikisht tre persona të punësuar në M-NAV. Katër persona të cilët janë të përfshirë në sulm mbrëmë janë marrë në pyetje në stacionin policor. Në mesin e të dyshuarve për pjesëmarrje në sulm është edhe ish ministri i ekonomisë nga rradhët e BDI-së Bekim Neziri i cili është i punësuar në M-NAV  dhe po i njejti sot  është marrë në pyetje nga policia.  Ngjarja ka ndodhur dje pas konferencës për media të kryetarit të Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING



You may also like