(VIDEO) Ministri i Shëndetësisë: Para zgjedhjeve nuk do të ketë ndryshime në shëndetësi

by admin
Spread the love

Në këtë periudhë parazgjedhore nuk do të ketë ndryshime në shëndetësi, tha Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri.  Në intervistë për Radion Evropa e Lirë ai thekson se nëse e merr besimin për të vazhduar drejtimin e ministrisë edhe pas zgjedhjeve, do të ofrojë program dhe vizion të qartë për shëndetësinë dhe Qendrat Klinike.

ILIR DEMIRI

“Si projeksion në të ardhmen se si do të ishte nëse do të kisha mundësi të mbaja këtë post si ministër për më shumë vite, atëherë e vetmja zgjidhje që mund të përmirësojë sistemin shëndetësor është ndërtimi i katër qendrave rajonale dhe grupimi i pacientëve për të marrë sa më shpejtë që është e mundur shërbime shëndetësore, për të ulur kostot dhe për të pasur më shumë shpejtësi nga stafi mjekësor, si dhe shfrytëzimin e ambienteve në dispozicion që tashmë i kemi”.

I pyetur se kur pritet të realizohen 1117 punësimet e nevojshme në Shëndetësi, ministri Demiri tha se për momentin ka përfunduar procedura për pjesën më të madhe të tyre.

ILIR DEMIRI

“Fatkeqësisht, nuk mund t’ju them një numër të saktë sepse nuk i kam. Por mund të them se është miratuar buxheti dhe ka përfunduar procedura për punësimin e më shumë se 1000 punonjësve. Meqenëse jemi duke hyrë në një proces zgjedhor, dhe sipas ligjit nuk lejohet punësimi, atëherë vendosen në pritje. Pas zgjedhjeve do të procedohet që ata të punësohen. Çdo drejtor i çdo institucioni shëndetësor duhet të ketë një projeksion se sa punonjës i nevojiten”.

I pyetur rreth heqjes se drejtorëve ekonomik nëpër klinika, të cilën e paralajmëroi ish ministri i shëndetësisë, Demiri tha se tanimë janë shpallur zgjedhjet dhe duhet pas kujdes në këtë drejtim. Ai është i mendimit se Qendra klinike duhet të unifikohet, të ketë një menaxher të Qendrës Klinike.

/SHENJA/

 

MARKETING



You may also like