(VIDEO) Ministra e Jashtëm të BE-së: Integrimi I Ballkanit, domosdoshmëri gjeostrategjike

by admin
Spread the love

Ballkani Perëndimor duhet të integrohet në Bashkimin Evropian sepse ajo është mënyra më e mirë për stabilizimin e situatës në atë pjesë të kontinentin të Evropës, njoftuan krerët e diplomacisë së Sllovenisë, Austrisë dhe kroacisë, Tanja Fajon,  Alexander Schallenberg  dhe Gordan Radman Gërliq.  Në një shkrim të përbashkët të tre ministrat theksuan se Bashkimi Europian ka 20 vjet që u ka premtuar atyre se do ti bëjë pjesë së familjes së madhe europiane.

FAJON, SCHALLENBERG, GËRLIQ

“Megjithatë, pas njëzet vjetësh, Ballkani Perëndimor ende nuk është anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ndonjëherë madje duket se anëtarësimi në BE është bërë më pak tërheqës për rajonin sesa dy dekada më parë. Me botën dhe BE-në që po përballen me një sërë krizash në dy dekadat e fundit, oreksi i Bashkimit për zgjerim është zvogëluar”.

Ata theksojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me sfida të paprecedentë për stabilitetin e tyre si dhe me dilema të amplifikuara të politikës së jashtme. Megjithatë, ka gjithashtu rritje të ndërgjegjësimit për një dritare të re mundësish për zgjerim, duke rritur pritshmëritë përballë BE-së. Diplomatët sqaruan se cilët hapa konkretë duhet të ndërmerren pa vonesë.

Si hap i parë, ata deklarojnë nevojën që Bashkimi Evropian të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnjën dhe Hercegovinën deri në fund të këtij viti.  E dyta është se Mali i Zi duhet të vazhdojë rrugën e tij reformuese drejt BE-së, e cila varet nga formimi i qeverisë së re në vend, dhe e treta është progresi që duhet të bëhet në negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

FAJON, SCHALLENBERG, GËRLIQ

“Në Maqedoninë e Veriut, hapat e ardhshëm varen nga aftësia e vendit për të miratuar amendamentet e nevojshme kushtetuese. Rasti i fundit është një kujtesë se vendet anëtare të BE-së dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të luajnë një rol të përgjegjshëm dhe të përmbahen nga prezantimi i problemeve dhe mosmarrëveshjeve dypalëshe që nuk kanë të bëjnë me procesin e anëtarësimit”.

Tre diplomatët theksojnë se vlera e vërtetë e zgjerimit të BE-së qëndron në aftësinë e tij transformuese: ndihma e vendeve për të rritur standardet e jetesës për qytetarët e tyre dhe krijimi i mjediseve të begata ku të rinjtë mund të përmbushin ëndrrat e tyre. “Ballkani Perëndimor dhe partnerët tanë lindorë e meritojnë këtë mundësi dhe qytetarët e BE-së do të përfitojnë nga më shumë stabilitet dhe prosperitet përtej kufijve aktualë të BE-së. Zgjerimi i BE-së nuk është një nga shumë opsione politike; është imperativi gjeostrategjik i ditës”, thuhet në deklaratën e përbashkët të diplomatëve slloven, austriak dhe kroat.

/SHENJA/

MARKETING



You may also like