(VIDEO) Lija e majmunit, Komisioni thirrje popullatës që të mos frikësohet

by admin
Spread the love

Nga dy rastet e dyshuara si të infektuar me linë e majmunëve, njëri prej pacientëve ka rezultuar negative, ndërsa tjetri refuzon të testohet. Sipas Komisionit për Sëmundje Infektive, një migrant që ishte pranuar sot në Klinikën Infektive me simptome të dyshimta, është testuar dhe ka rezultuar se nuk është i infektuar me linë e majmunëve. Por pacienti tjetër i dyshuar tashmë prej dy ditësh, shtetas i Maqedonisë së Veriut nga Kërçova, refuzon të bëjë testin për këtë virus. Komisioni për Sëmundje Infektive thotë se nuk kanë mekanizma ta detyrojnë të bëjë testin, por shpresojnë që do të bindet dhe deri në fund të javës do të testohet.

ALEKSANDAR PETLIÇKOVSKI, KOMISIONI PËR SËMUNDJE INFEKTIVE
“Nga këto dy raste, rasti i dytë i dyshimtë, ky që është hospitalizuar sot në Klinikën Infektive, tashmë është testuar dhe rezultati është negativ. Ndërsa për rastin e parë të dyshimtë, atë të Kërçovës, akoma nuk kemi rezultat dhe po përpiqemi ta organizojmë testimin, shpresojmë që deri në fund të javës do të kemi rezultat edhe nga ai testim”. 

Zëdhënësi i Komisionit për Sëmundje Infektive Zllate Mehmedoviq thotë se kontaktet e personave të dyshimt dhe atyre që rezultojnë pozitiv, nuk vendosen në karantin dhe as nën mbikëqyrje deri sa të zhvillojnë simptome.

ZLLATE MEHMEDOVIQ, KOMISIONI PËR SËMUNDJE INFEKTIVE
“Rekomandimet janë që për kontaktet të cilët nuk do të zhvillojnë simptome, nuk ka kurrfarë masa, as për izolim, as për karantin, as për mbikëqyrje shëndetësore. Ata nuk e shpërndajnë infektimin në periudhën kur janë vetëm kontakte dhe nuk kanë simptome”

Kryetari i Komisionit Aleksandar Petliçkovski qetëson opinionin publik duke theksuar se ky virus nuk është i përhapshëm si Covid19 dhe nuk presin zhvillime dramatike.

ALEKSANDAR PETLIÇKOVSKI, KOMISIONI PËR SËMUNDJE INFEKTIVE
“Ky nuk është Covid i ri, do të thotë absolutisht nuk ka vend për panik sepse nuk presim asnjë zhvillim dramatik ose shpërndarje serioze të kësaj sëmundje të re”.

Insituti për Shëndet Publik ka siguruar rreth 3300 teste për linë e majmunëve. Tani për tani, testimi për virusin e ri mund të bëhet vetëm në Institutin për Shëndet Publik. Institucionet po përcjellin situatën në vend, ndërsa për rastet e dyshimta po ndjekin protokollet e Organizatës Botërore të Shëndetit dhe praktikat e etabluara ndërkombëtarisht.  /SHENJA/

 

You may also like