(VIDEO) Kuvendi miratoi ndryshimet ligjore për kufizimin e rritjes së çmimeve

by admin
Spread the love

Ndryshimet ligjore që kaluan në Kuvend, do të ndikojnë në uljen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe të derivateve.

Pak minuta para mesnate, me 95 vota “për”, asnjë “kundër” dhe asnjë “të përmbajtur”, deputetët i votuan ndryshimet ligjore për TVSH-në dhe akcizën, të cilat menjëherë kanë hyrë në fuqi.

Me vonesa disa orëshe, debate, akuza dhe kundër akuza, ndryshimet e dy ligjeve, kaluan me procedurë të shpejtuar, ashtu siç ishte edhe propozimi i Qeverisë.  Opozita, VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët dorëzuan amendamente, por ato u refuzuan. Nga Aleanca u ankuan se amendamentet e tyre ka 2 vite që nuk pranohen. Përndryshe, kërkesë e VMRO-DPMNE-së ishte që akciza të ulet deri në 50%, kurse ASH kërkonte që për dizellin,  akciza të zvoglohet nga 15.5 denar në 9 denar, kurse për benzinën, akciza të zvoglohet nga 22 denarë në 15 denarë.

Giithashtu, propozuam që TVSH për dy llojet e karburanteve të zvogëlohet nga 18% në normën preferenciale prej 5%!

Sipas Qeverisë, ndryshimet dhe plotësimet e këtyre dy ligjeve do të ndihmojnë që të sigurohet ulje e çmimeve më të larta me pakicë të benzinave dhe derivate të tjera të naftës. Me heqjen e TVSH-së, do të ketë çmime më të lira të bukës, sheqerit, miellit – tip 400, vajit të lulediellit për ushqim, qumështit, mishit të freskët, orizit dhe vezëve.  Ndërsa te derivatet, çmimi i benzinës do të ulet për 6,5 denarë, ndërsa çmimi i dizelit për 9 denarë.

Këto bëjnë pjesë në pakon prej 26 masash që Qeveria i prezantoi të mërkurën, si përgjigje ndaj krizës ekonomike në vend. Në këtë pako masash, po ashtu parasheh subvencione, vaucher për kategoritë më të rrezikuara për produkte bazë ushqimore. Ata do të jenë vaucherë prej 1000 denarësh në muaj, në periudhë prej 3 muajsh për 35 000 qytetarë dhe gjithashtu subvencionohen pensionistët me nga 1000 denarë për 3 muaj.

Kjo paketë e masave shtetit do t’i kushtoj 400 milionë euro.

Emine Ismaili /SHENJA/

You may also like