(VIDEO) Kujdes, nëse përkrahni krimet ruse në Ukrainë dënoheni nga 1 deri në 5 vjet burg

by admin
Spread the love

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike do të sanksionojnë të gjithë qytetarët, mediat dhe subjektet tjera që mbështesin krimet e dyshuara të luftës kundër civilëve në Ukrainë, por edhe akte tjera të dhunës kundër popullatës civile. Këto dy institucione paralajmërojnë se sipas ligjeve në fuqi, çdokush që bën një akt të tillë mund të dënohet nga një deri në pesë vjet burg.

Prokuroria Publike

“Miratimi ose justifikimi i gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit apo krimeve të luftës paraqet krim sipas nenit 407 të Kodit Penal. Ligji parashikon se kushdo që publikisht mohon, minimizon, miraton dhe justifikon akte të tilla, nëpërmjet një sistemi informacioni, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Nëse vepra është kryer me qëllim të nxitjes së urrejtjes, diskriminimit ose dhunës ndaj një personi ose grupi personash, për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare, etnike ose racore ose fetare, kryesi dënohet me së paku katër vjet burgim”

Prokuroria dhe MPB kanë filluar hetimin për të gjithë që shkelin nenin 404 të Kodit Penal, i cili saktëson termin “krim lufte kundër popullatës civile”. Ata u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që nëse hasen me situata të tilla të njëjtat t’i paraqesin.

Prokuroria Publike

“Prokuroria Publike dhe MPB-ja janë duke monitoruar në mënyrë intensive të gjitha deklaratat dhe komentet në rrjetet sociale lidhur me ngjarjet në Ukrainë, dhe në përputhje me kompetencat e tyre ligjore do të ndërmarrin veprime konkrete për ndjekjen penale të të gjithë autorëve, të cilët me njoftimet dhe qëndrimet e tyre publike mbështesin krimin. Apelojmë te qytetarët që nëse vërejnë raste të tilla t’i dënojnë pranë organeve kompetente”

Ky vendim i MPB dhe Prokrorisë ka arrdhur pasi në rrjetet sociale në Maqedoninë e Veriut ka pasur komente nga më të ndryshmet, fyerje dhe mbështetje akteve të dhunës, në veçanti pas njoftimeve për krime të mundshme nga Rusia në qytezën Buça, afër Kievit, ku janë parë qindra trupa të pajetë të civilëve. Linda Ebibi /SHENJA/ 

You may also like