FOKUS – Baerbock: Pranim të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE

by admin
Spread the love

BERLIN, 29 prill /ATSH-DPA/ – Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock ka bërë thirrje për pranimin e shpejtë në Bashkimin Evropian të kandidatëve për anëtarësim në Ballkanin Perëndimor, ndërsa blloku shënon 20-vjetorin e zgjerimit të tij me 10 vende, në 2004-n.

“Zonat gri politike dhe gjeografike në Ballkan ose në lindje të BE-së janë jashtëzakonisht të rrezikshme”, shkroi Baerbock në një opinion të botuar për të shënuar këtë përvjetor.

“Ne nuk mund të përballojmë zona të tilla gri, sepse për presidentin rus Vladimir Putin ato janë një ftesë për të ndërhyrë dhe për të destabilizuar”, tha Baerbock.

Artikulli, të cilin DPA e pa përpara botimit, do të botohet sot në Lituani, Letoni, Rumani dhe Greqi.

Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria, Malta dhe Qiproja u pranuan në BE më 1 maj 2004.

”Ne e dimë të paktën që nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës se zgjerimi i BE-së sonë sot është gjithashtu një domosdoshmëri gjeopolitike”, shkroi Baerbock.

Ashtu si 20 vjet më parë, miliona evropianë sot shohin një mundësi dhe premtim për t’u bërë qytetarë të BE-së.

“Ne nuk mund të lejojmë që një brez tjetër i tërë të lëngojë përsëri në dhomën e pritjes së BE-së, siç është rasti me Ballkanin Perëndimor”, paralajmëroi ajo.

“Ne nuk duhet të humbim mundësinë për ta bërë bashkimin tonë më të madh dhe më të fortë dhe, për këtë arsye, më të sigurt”, theksoi Baerbock.

”Gjenerata e raundit të zgjerimit të vitit 2004 duhej të merrte guximin për të mos u lëkundur nga erërat e kundërta dhe parullat populiste”, tha Baerbock.

“Brezi ynë tani është përballur me detyrën për të mbrojtur dhe forcuar projektin evropian të paqes dhe lirisë, edhe nëse kushton një sasi të jashtëzakonshme energjie. Reformat janë të nevojshme që kjo të ketë sukses”, tha ajo./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like