(VIDEO) Kovaçevski: Nuk ka marrëzi më të madhe se kufijtë midis vendeve Ballkanike

by admin
Spread the love

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot në Beograd, në një konferencë për media me kryeministren e Serbisë Ana Brnabiq , theksoi përkushtimin dhe vullnetin e fortë politik të Qeverisë për të forcuar dhe thelluar marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe miqësore me Republikën e Serbisë, në bashkëpunimin politik, ekonomik dhe në të gjitha aspektet tjera.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR I RMV-SË

Nuk ka marrëzi më të madhe se kufijtë e Ballkanit. Ne ishim të vetmet vende që nuk kishim kufij mes tyre, dhe tani jemi të vetmet vende që kemi kufij mes tyre. Nuk kemi nevojë për kufij. Unë e imagjinoj Ballkanin Perëndimor si një rajon pa kufij, të integruar në BE”  

Kovaçevski potencoi se fokusi i qeverive duhet të mbetet Bashkimi Evropian, sepse aty janë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, tha se marrëdhëniet ekonomike dhe politike ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut janë duke u përmirësuar dhe se në këtë ka kontribuar iniciativa “Ballkani i Hapur”.

ANA BRNABIQ, KRYEMINISTRE E SËRBISË

“Një pjesë e madhe e bisedimeve të sotme iu kushtua kësaj nisme dhe projektesh. Si rezultat i asaj iniciative, marrëdhëniet ekonomike janë duke u përmirësuar dhe  pritshmëritë janë  që këtë vit shkëmbimi tregtar të kalojë 1.5 miliardë euro, e ndoshta edhe dy miliardë”.

Në prani të kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq dhe kryeministrit Dimitar Kovaçevski, sot në Beograd janë nënshkruar tri memorandume mirëkuptimi, të cilat pritet të përmirësojnë bashkëpunimin ndërmjet qeverive të dy vendeve. Dokumentet që u nënshkruan janë në drejtim të afrimit të mëtejshëm të dy shteteve, ekonomive dhe popujve, të cilat rrjedhin nga marrëveshjet e nënshkruara për Ballkanin e Hapur. Ai u takua edhe me presidentin Aleksandar Vuçiç ku në takim u shkëmbyen informacione edhe për veprimin e dy vendeve në kuadër të Ballkanit Perëndimor, në kontekst të situatës ekonomike, demokratike dhe të sigurisë në rajon dhe Evropë.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

You may also like