(VIDEO) Kovaçevski: Afrohemi me Bullgarinë, mbështesim dialogun Prishtinë-Beograd

by admin
Spread the love




Në margjinat e Konferencës së sigurisë në Munih të Gjermanisë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski është takuar me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak.

Siç bëjnë të ditur nga shërbimi qeveritar, krahas bisedës për  procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, në takim është biseduar edhe për bashkëpunimin rajonal, iniciativën “Ballkani i Hapur” dhe dialogun Kosovë – Serbi.

Në kontekst rajonal, kryeministri Kovaçevski potencoi se Maqedonia e Veriut i mbështet të gjitha format e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, kurse shprehu mbështetje për sovranitetin dhe integritetin territorial për stabilitet dhe siguri në Bosnje e Hercegovinë, në përputhje me Marrëveshjen e paqes së Dejtoni, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Gjithashtu,  gjatë takimit të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut  me Mirosllav Lajçak, ku mori pjesë edhe  zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq,  Kovaçevski e informoi Lajçakun për aktivitetet e përbashkëta me kryeministrin bullgar Kiril Petkov për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh dhe punën e pesë grupeve punuese.

Përfaqësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, ka mbështetur fuqishëm integrimin e Maqedonisë në BE dhe e vlerësoi vendin tonë si partner të besueshëm të Unionit. Lajçak u shpreh gjithashtu i kënaqur me përpjekjet e deritanishme dhe i vlerësoi ato si një kontribut të rëndësishëm në vendimin përfundimtar për miratimin e Kornizës Negociative dhe caktimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare në mandatin e Republikës së Francës si Presidente e Këshillit Evropian.

Linda Ebibi /SHENJA/


You may also like