(VIDEO) Këshilltarët e BDI-së dhe Lëvizjes Besa përplasen për shpenzimet e Komunës së Tetovës

by admin
Spread the love

Analiza e djeshme e publikuar nga Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonоmike ka ngjallur përplasje verbale në mes këshilltarëve të Komunës së Tetovës nga radhët e Lëvizjes Besa dhe atyre nga radhët e BDI-së. Këshilltari komunal nga radhët e BDI-së në Tetovë, Veton Murati ka reaguar pas publikimit të të dhënave nga Instituti “Idea”, se në këtë komunë për vitin 2022 janë shpenzuar 211.000 euro për shpenzime dhe udhëtime ditore. Ai pyet kryetarin e komunës Bilall Kasamin se si i ka shpenzuar të gjitha këto para.

VETON MURATI, KËSHILLTAR I KOMUNËS SË TETOVËS NGA BDI

“211 mijë euro, para të tetovarëve janë shpenzuar nga ana e udhëheqësve të Komunës së Tetovës për Udhëtime dhe Shpenzime ditore, gjatë vitit 2022. Ndryshe, kjo i bie se Bilall Kasami dhe kabineti i tij kanë shpenzuar nga 800 euro çdo ditë pune përgjatë një viti, vetëm për shpenzime ditore dhe udhëtime. Këto nuk janë konstatime tonat, por janë statistika të publikuara nga instituti për analiza IDEA, me të dhëna zyrtare që janë publikuar nga Ministria e Financave.Këto informata dëshmojnë mashtrimet dhe qëllimet e Bilall Kasamit, i cili Komunën e Tetovës e përdor për qëllime partiake dhe personale”.

Për vitin 2023, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka shpenzuar gjithsejt 5900 euro, shpenzimet e këshillit të Komunës së Tetovës janë 1317 euro, ndërsa administrata ka harxhuar gjithsejt 11,800 euro.

BESAR DURMISHI, KRYETARI I KËSHILLIT KOMUNAL TË TETOVËS

“Udhëtimet brenda dhe jashtë vendit për kryetarin, administratën, kryetarin e këshillit të komunës dhe këshilltarët kanë kushtuar në total 11,209 euro. Kjo shifër është paraparë në buxhetin e vitit 2022 dhe përfshin të gjitha shpenzimet e udhëtimit për përfaqësuesit e komunës. Në lidhje me shkollat e mesme dhe fillore, shpenzimet kanë arritur në një shumë totale prej 320,733 euro. Shkollat e mesme kanë shpenzuar 266,826 euro, ndërsa shkollat fillore janë mbështetur me 53,907 euro, të gjitha nga programi Erasmus i Bashkimit Evropian”.

Në lidhje me reagimet e ndryshme për analizën, nga instituti IDEA sot nëpërmjet një shkrimi të publikuar në rrejtin social Facebook thonë se të dhënat e publikuara nga Instituti IDEA janë marrë nga Ministria e Financave të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

INSTITUTI PËR DEMOKRACI DHE ANALIZA EKONOMIKE

Të dhënat e publikuara nga Instituti IDEA janë marrë nga autoriteti më i lartë në shtet për çështjen e financave dhe buxheteve, pra nga Ministria e Financave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe si të tilla janë të pakontestueshme në vërtetësinë e tyre. Të njejtat mund të verifikohen nga llogaria përfundimtare e buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2022”.

Nga Instituti IDEA theksojnë se deklarata e Bilall Kasamit e cila e intepreton paraqitjen e të dhënave të sakta nga ana jonë si tendencë për njëllosje të personalitetit të tij është e papranueshme dhe ofenduese për Institutin IDEA. “Ekipi ynë me dedikimin më të lartë profesional është i përkushtuar në rritjen e transparencës së komunave në mënyrë që t’u shërbejë qytetarëve për informim rreth veprimtarisë së komunave të tyre” thonë ata. Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING



You may also like