(VIDEO) Instituti IDEA: Mbi 5 mijë fëmijë pa vende në çerdhe

by admin
Spread the love

Insituti IDEA ka identifikuar kapacitete të pa mjaftueshme të kopshteve për fëmijë, ku rreth 5 mijë e 700 fëmijë janë pa akomodim në çerdhe. Përmes një hulumtimi të realizuar në muajin janar mbi gjendjen e kopshteve ata gjithashtu kanë konstatuar nivel të ulët të investimeve për zgjerimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së tyre në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Të dhënat e siguruara nga Ministria për Punë dhe Politika Sociale flasin për një sfidë të konsiderueshme në përballjen me kërkesën në rritje për arsim parashkollor. Nga Instituti IDEA theksojnë se është një nevojë urgjente për më shumë investime në arsimin parashkollorë.

IDEA

“Përveç mungesës së vendeve të lira nëpër kopshte, të dhënat flasin edhe për një stërngarkim të tyre, me vetëm 8 objekte kopshtesh për çdo 1 000 fëmijë të regjistruar, duke theksuar nevojën urgjente për më shumë investime në arsimin parashkollor”.

Ata potencojnë se 63.1% ose 210 të objekteve janë të shpërndara nëpër komuna urbane ndërsa 36.9% ose 123 objekte në ato rurale, ku sipas tyre, kjo ndarje tregon një infrastrukturë relativisht më të koncentruar në zonat urbane krahasuar me ato rurale, gjë që vendos në dizavantazh fëmijët dhe nënat në zonat rurale. Nga Instituti IDEA, shtojnë se prej komunave me shumicë shqiptare dhe me kryetar të komunës shqiptarë, kopshte kanë 9 komuna, kurse pesë të tjera nuk kanë asnjë kopsht në komunat e tyre.

IDEA

“Në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga gjithsej 80 komuna, 67 prej tyre kanë kopshte, kurse 13 nuk kanë asnjë kopsht. Prej komunave me shumicë shqiptare dhe me kryetar të komunës shqiptar, kopshte kanë 9 komuna, kurse pesë të tjera nuk kanë asnjë kopsht në komunën e tyre, edhe atë: Komuna e Haraçinës, Zhelinës, Studeniçanit, Tearcës dhe Bogovinës”.

Sipas hulumtimit Maqedonia e Veriut ka nivel të ulët të regjistrimit të fëmijëve në arsimin parashkollor, edhe atë me vetëm 41% në krahasim me 81% të OECD-së dhe pothuajse 100% të BE-së. Thonë se kjo sinjalizon një nevojë të madhe për zgjerim të kapaciteteve për vende të lira në çerdhe.

Duke e ditur që arsimi parashkollor është ngushtë i lidhur me performancë më të mirë të nxënësve në shkollim si dhe mundësi më të madhe për nënat të kyçen në tregun e punës, Instituti IDEA rekomandon që Qeveria dhe autoritetet lokale të rishikojnë dhe të rrisin buxhetet e tyre për arsimin parashkollor, të përqendrojnë përpjekjet në zgjerimin e infrastrukturës ekzistuese dhe në themelimin e kopshteve të reja, veçanërisht në ato komuna ku mungesa është më e ndjeshme. /SHENJA/

MARKETING



You may also like