Veseli: Jemi favoritë për të fituar grupin, duhet të fitojmë përballë Islandës

by admin
Spread the love

Edhe mbrojtësi kuqezi i Kombëtares, Frederic Veseli shprehet se skuadra ka punuar intensivisht që prej ditës së parë për të përgatitur këto sfida, jo vetëm nga ana fizike, por edhe nga ajo mentale. I pyetur nëse Shqipëria është favorite e grupit, Veseli përgjigjet po, ndërsa konfirmon edhe vullnetin që ka skuadra për të dhënë 200% për t’u renditur të parët në grup.

Përgatitjet për Islandën – E kemi përgatitur mirë. E kemi nisur me stërvitje intensive që nga dita e parë dhe jemi përgatitur shumë në fushë. Synimi ynë është të bëjmë ndeshje të mira me Kombëtare dhe të fitojmë.

E vështirë për të gjetur hapësira në mbrojtje si e jona? – Është e vështirë sepse kemi mbrojtës ekspertë dhe shumë të fortë. Secili nga ne luan në kampionate të nivelit maksimal, por kur vjen në Kombëtare është momenti që vlen dhe vendos trajneri kush luan. Jemi të gjithë të aftë që të luajmë që nga minuti i parë, ose nëse ka nevojë, të hyjmë në lojë kurdo.

Ngarkesa në skuadër dhe përgatitjet – Këto ditë kanë shkuar shumë mirë. Kemi punuar shumë nga ana mentale, nga ana e grupit. Besoj se e kemi arritur “një marrëveshje” të bukur mes nesh, me lojtarët dhe stafin dhe besoj se kjo na çon sa më lart.

Njohja e kundërshtarëve – Besoj se kemi bërë disa gabime kundër Islandës dhe Izraelit në ndeshjet e fundit kundër tyre dhe duhet t’i përdorim këto gabime për t’u përmirësuar dhe pse jo për t’i fituar këto ndeshje kundër tyre. Besoj se momentalisht jemi në nivelin e duhur, në grupin B dhe pse jo të synojmë të shkojmë në grupin A. Kemi bërë disa gjëra të mira me Kombëtaren këto vitet e fundit dhe besoj se një hap përpara do ishte gjëja më e bukur.

Shqipëria, favorite e grupit për vendin e parë? – Sigurisht, për mendimin tim dhe të skuadrës jemi favoritë. Por varet se çfarë mendojnë edhe skuadrat e tjera. Ne shpirtërisht mendojmë se kemi çdo mundësi të fitojmë dhe mund ta konfirmoj se kemi vullnetin jo 100, por 200% për të dhënë maksimumin dhe për të arritur vendin e parë për të kaluar në Ligën A ku kemi kundërshtarë shumë të fortë. Edhe si eksperiencë personale për çdo lojtar edhe si eksperiencë për grupin dhe për tifozët tanë që na shikojnë, pse jo të shohin ndeshje kundër skuadrave shumë të forta dhe me nivel shumë të lartë.

Mbrojtja e përgatitur në kampionatin italian – Besoj se po, pasi dihet që kampionati italian ka prodhuar mbrojtës me shumë famë dhe kualitet. Besoj se është repart që duhet të jetë i fortë për të synuar fitore dhe rezultat pozitiv, pasi nëse nuk funksionon mbrojtja, nuk fitohet loja. Ne nga mbrapa bëjmë lojën tonë, pastaj varet nga Vrioni dhe të tjerët për të shënuar. / Oversport.tv

You may also like