Vendimtar me golin kundër Majorkës, heroi Rydiger: Nuk jam unë shefi i mbrojtjes, bëj thjesht detyrën time

by admin
Spread the love

Eder Militao jashtë! David Alaba jashtë! Naço i pezulluar! I vetmi qendërmbrojtës i Realit që vazhdon të mbahet është Antonio Rydiger.

Gjermani është kthyer në shefin e mbrojtjes së Realit, ndonëse ai nuk dëshiron ta pranojë një kompliment të tillë. Por përtej faktit se po drejton mbrojtjen, ai po tregon se është i vlefshëm edhe përpara. Kështu ndodhi në ndeshjen e parë të vitit të mërkurën në mbrëmje kundër Majorkës. Ishte goli i tij 12 minuta nga fundi që i dha fitoren Realit të Madridit, duke i vendosur edhe kurorën e kampionit të dimrit.

Duke folur për rolin e tij pas suksesit ndaj Majorkës, Rydiger deklaroi: “Si skuadër ne mbrohemi shumë mirë. Unë nuk e shoh veten si shefi i mbrojtjes, thjesht bëj punën time dhe përpiqem t’a bëj perfekt”.

Përveç kësaj, Rydiger analizoi partneritetin me francezin Orelië Tçuameni, një mesfushor i rregullt, por që prej dy takimesh po luan në kopje me gjermanin në qendër të mbrojtjes.

“Ai po përshtatet shumë mirë. Ai është një lojtar i zgjuar dhe kjo cilësi që ka mund ta bëjë atë të kthehet në një futbollist edhe më të mirë”, tha ai.

Nga ana tjetër, gjermani Rydiger foli për golin e tij, nga një goditje e vendosur në minutën e 78-të, që i dha fitoren Realit të Madridit ndaj Majorkës.

“Unë shënova kundër tyre sezonin e kaluar dhe jam shumë i lumtur, sepse është një gol i rëndësishëm dhe tre pikë të rëndësishme për ne”, tha ai.

Rydiger komentoi dhe rivalitetin me Gironën për sa i përket titullit kampion.

“Ata po bëjnë një paraqitje të shkëlqyer. Kanë vetëm një humbje dhe atë ia kemi shkaktuar ne. Është një rivalitet i këndshëm që do të na shoqërojë deri në fund”, deklaroi Rydiger.

PANORAMASPORT.AL

You may also like