Ushtrisë i duhen ndryshime – Shqip

by admin
Spread the love

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Ukrainës Oleksandr Pavlyuk, është shkarkuar nga pozita, ka njoftuar Qeveria më 10 shkurt.

Ky është një tjetër vendim i marrë prej autoriteteve ukrainase teksa ristrukturojnë udhëheqësinë, meqë presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky beson se ushtrisë i duhen ndryshime.

Vendimi është bërë i ditur në Telegram prej Taras Melnychukut, përfaqësuesit qeveritar në Parlamentin e Ukrainës, i cili ka thënë se Pavlyuk është transferuar në një tjetër pozitë, por pa dhënë më shumë hollësi.

Melnychuk nuk ka treguar se kush do të emërohet në pozitën që e ka pasur Pavlyuk.

Më 9 shkurt, Zelensky e ka emëruar gjeneralin Anatoliy Barhilevych si udhëheqës të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, pasi e ka emëruar gjeneralin Oleksandr Syrskiy si komandant të përgjithshëm ushtarak.

Zelenskiy e ka përshkruar Barhilevychin si “individ me përvojë, i cili e kupton detyrën e luftës dhe objektivat e luftës”.

Presidenti ukrainas ka thënë, po ashtu, se Syrskiy i ka identifikuar kandidatët për pozitat e ndihmësve të tij, mirëpo nuk ua ka përmendur emrat, vetëm ka thënë se kanë përvojë në ushtri dhe i kanë të qarta nevojat e ushtarëve ukrainas.

Syrskyi konsiderohet arkitekt i fitores më të rëndësishme të Ukrainës në luftë, i kundërofensivës në rajonin lindor të Harkivit, në shtator të vitit 2022, duke i larguar forcat ushtarake ruse prej qyteteve Kupjansk dhe Izjum.

Ndryshimet në kokën e ushtrisë ukrainase vijnë në një kohë të rëndësishme për Ukrainën, e cila ka dështuar të rikthejë pjesë të mëdha të territorit, të zaptuara prej Rusisë, pas nisjes së luftës, në shkurt të vitit 2022.

Për më shumë, Kievi mund të përballet me ndalje të ndihmës ushtarake prej Shteteve të Bashkuara, mbështetëseve më të mëdha, pasi ligjvënësit republikanë e kanë bllokuar një paketë ndihme, në vlerë të 61 miliardë dollarëve, meqë kërkojnë më shumë ndryshime në politikat e SHBA-së për migrimin./REL

You may also like