Ushqimet e duhura për shëndetin e tiroides dhe ato që duhen shmangur

by admin
Spread the love

Tiroidja ka nevojë për jod që të funksionojë siç duhet. Nëse nuk merrni mjaftueshëm jod, rrezikoni të vuani nga hipotiroidizmi ose struma (gjëndër tiroide që zmadhohet për të kompensuar mungesën e hormoneve tiroide, sipas Medline Plus). Shumica e njerëzve nuk e kanë problem të marrin jod të mjaftueshëm, pasi kripa e tryezës është e jodizuar – por nëse jeni në një dietë me pak natrium ose ndiqni një dietë vegane, atëherë mund t’ju duhet të rrisni marrjen e jodit nga burime të tjera.

Shumë lloje të algave të detit janë me jod, por sasia mund të ndryshojë jashtëzakonisht, tha për Health Mira Ilic, RD, një dietologe e regjistruar në Klinikën Cleveland. Sipas NIH (Instituti Kombëtar i Shëndetësisë­), sasia e jodit në lloje të ndryshme të algave të detit ndryshon në mënyrë të konsiderueshme. Për shembull, algat e detit të disponueshme në treg në formë të plotë ose fletësh kanë përqendrime të jodit që variojnë nga 16 mcg/g deri në 2,984 mcg/g (shtimi i rekomanduar dietik për një person është 150 mcg).

Por, kujdes! Shumë jod mund të jetë po aq i dëmshëm për tiroiden tuaj sa edhe pak, duke shkaktuar (ose përkeqësuar) hipotiroidizmin.

Cilat janë disa nga ushqimet e shëndetshme për tiroiden?​

1. Kos

Në veçanti, produktet e qumështit përmbajnë mesatarisht 85 mcg jod për filxhan.

Megjithatë, sasia e jodit në produktet e qumështit ndryshon.

Kosi i thjeshtë, me pak yndyrë ose kosi grek është një burim i mirë dhe mund të përbëjë rreth 50% të konsumit tuaj ditor të jodit.

2. Arra braziliane

Sipas NIH, arrat braziliane përmbajnë një tjetër lëndë ushqyese që ndihmon në rregullimin e hormoneve të tiroides: selen. Seleni mund të ndihmojë në parandalimin e dëmtimit afatgjatë të tiroides tek njerëzit me probleme të lidhura me tiroiden si sëmundja Hashimoto dhe Graves.

Vetëm një bërthamë përmban midis 68-91 mikrogramë. Meqenëse kufiri maksimal i selenit është 400 mikrogramë në ditë, mos e teproni. Shumë selen mund të shkaktojë rënie të flokëve, zbardhjen e thonjve, madje edhe problem të zemrës.

3. Qumësht

Qumështi dhe produktet e tij janë ndër burimet më të mira të jodit, sipas NIH. Megjithatë, pijet me bazë bimore të përdorura si zëvendësues të qumështit, të tilla si pijet e sojës dhe bajameve, përmbajnë sasi relativisht të vogla të jodit.

Pirja e 1 filxhani qumësht me pak yndyrë do të plotësojë rreth një të tretën e nevojave tuaja ditore për jod.

4. Mish pule dhe viçi

Zinku është një tjetër lëndë ushqyese kryesore për tiroiden tuaj. Marrja e pakët e zinkut mund të çojë në hipotiroidizëm. Nëse zhvilloni hipotiroidizëm, mund të keni edhe mungesë zinku pasi hormonet tuaja tiroide ndihmojnë në absorbimin e mineralit. Dhe kur kjo të ndodhë, mund të përjetoni efekte anësore si alopecia e rëndë, një gjendje autoimune që sulmon folikulat e flokëve dhe i bën ato të bien.

5. Peshku

Peshqit janë një tjetër burim i mirë i jodit. Një porcion prej 3 ons me merluc të pjekur përmban rreth 158 mikrogramë jod (mjaftueshëm për të plotësuar nevojat tuaja ditore), thotë NIH.

6. Butakët

Si rregull i përgjithshëm, butakët si karavidhe dhe karkalecat janë burime të mira të jodit. Vetëm 4 ose 5 karkaleca përmbajnë afërsisht 10% të sasisë së rekomanduar, sipas NIH.

Butakët gjithashtu mund të jenë një burim i mirë i zinkut.

7. Vezë

Një vezë e madhe përmban rreth 16% të jodit ditor – dhe 20% të selenit ditor që ju nevojitet, duke i bërë vezët një superushqim për tiroidet.

8. Manaferrat

Dieta më e mirë për tiroiden tuaj kërkon më shumë sesa jod, selen dhe vitaminë D. Ushqimet e pasura me antioksidantë (substanca që gjenden në ushqime të caktuara që ndihmojnë në luftimin e dëmtimit të qelizave) janë gjithashtu të mira për tiroiden tuaj. Sipas një studimi të vitit 2022 në Biomedicine & Farmacotherapy, antioksidantët mund të ndihmojnë në menaxhimin e mosfunksionimit të tiroides.

Manaferrat e të gjitha llojeve janë të pasura me antioksidantë, sipas Johns Hopkins Medicine, ku “më të mirat” janë mjedrat e zeza. Mjedrat ofrojnë nivele shumë të larta antioksidante, fibra dhe relativisht pak sheqer natyral.

Disa ushqime përgjithësisht nuk rekomandohen për shëndetin e tiroides.

  • Gluteni
  • Ushqimet e përpunuara
  • Ushqimi i shpejtë

Disa ushqime ndihmojnë shëndetin e tiroides. Për shembull, ushqimet me përmbajtje të lartë jodi – duke përfshirë algat e detit, arrat braziliane, peshkun dhe vezët – ndihmojnë në funksionimin efektiv të tiroides. Manaferrat dhe perimet krucifere gjithashtu ndihmojnë tiroiden. Ushqimet e përpunuara dhe të shpejta nuk rekomandohen.

Kontaktoni një ofrues të kujdesit shëndetësor nëse dëshironi të mësoni më shumë se si të forconi shëndetin e tiroides tuaj dhe gjithmonë konsultohuni me të përpara se të përdorni suplemente./Health.com

Përktheu për Gazetën Shëndeti, Griselda Ozuni

You may also like