Universiteti i Tetovës organizoi akademi përkujtimore me rastin e ditëlindjes së dëshmorit të kombit, Burim Huseini – Shqip

by admin
Spread the love

Sot, në Universitetin e Tetovës u organizua akademi përkujtimore me rastin e ditëlindjes së dëshmorit të kombit, Burim Huseini. Për të respektuar veprën dhe sakrificën e tij sublime, i cili iu përgjigj me përkushtimin më të madh kushtrimit të lirisë, të pranishëm në këtë ngjarje ishin një numër i madh bashkëluftëtarësh, shokë të idealit, familjarë, profesorë dhe studentë, njoftojnë nga Zyra për Informim e UT-së.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Rektori i UT-së, Kushtrim Ahmeti vlerësoi lartë figurën e Burim Huseinit.
“Burim Huseini i takonte gjeneratës që njëherë e përgjithmonë i ndryshoi rrjedhat e historisë sonë, i përkiste asaj gjenerate që mishëronte më së miri virtytet e shqiptarit të vendosur për liri dhe demokraci. Njerëzit e tillë, gjeniun dhe temperamentin e tyre e shfaqin dhe e realizojnë në mënyrë kulmore, kudo që veprojnë, ata shfaqin guximin dhe trimërinë e tyre të pashoqe. Me shpirtin liridashës, me karakterin e fortë, trimërinë e lindur dhe zgjuarsinë e tij, Burim Huseini dhe të gjithë dëshmorët e kombit, çdo faqe historie dhe pëllëmbë toke e kthyen në histori dhe tokë martire. Lavdi veprës së studentit tonë Burim Huseini dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!”, u shpreh Rektori i Universitetit të Tetovës, Kushtrim Ahmeti.

Në këtë veprimtari, u promovua edhe dokumentari “Burimi i ëndrrës së lirisë“ kushtuar pikërisht dëshmorit të kombit Burim Huseinit, ndërsa familjes së dëshmorit Burim Huseini iu dhuruan certifikatë post mortum, Monografia e Universitetit dhe portreti i Rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani./KlanMacedonia

You may also like