UKRAINË – Liderët evropian vizitojnë Kievin në përvjetorin e dytë të luftës

by admin
Spread the love

KIEV, 24 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe liderë të tjerë kanë udhëtuar në Kiev për të ofruar mbështetjen e tyre për Ukrainën mes përvjetorit të dytë të pushtimit rus.

“Qëllimi i vizitës është të festojmë rezistencën e jashtëzakonshme të popullit ukrainas”, shkroi ajo në platformën X, dikur Twitter.

“Më shumë se kurrë, ne qëndrojmë pranë Ukrainës. Financiarisht, ekonomikisht, ushtarakisht, moralisht. Derisa vendi të jetë më në fund i lirë”, shkroi Von der Leyen.

Gjatë vizitës së saj, Von der Leyen i dorëzoi policisë ukrainase dhe organeve të prokurorisë 50 automjete.

Automjetet e bardha të të gjithë terrenit do të ndihmojnë për të sjellë siguri dhe stabilitet në territoret e çliruara nga Forcat e Armatosura të Ukrainës dhe për të mbështetur popullatën”, shkroi ajo në një postim në X, shoqëruar me një video të saj duke inspektuar automjetet.

Pushtimi i plotë i Ukrainës i urdhëruar nga presidenti rus Vladimir Putin filloi në orët e para të 24 shkurtit 2022.

Forcat ruse fillimisht përparuan në disa fronte duke përfshirë marshimin drejt kryeqytetit Kiev, por më pas u përqendruan në pushtimin e zonave në lindje dhe jug. Rusia që atëherë ka aneksuar katër provinca në lindje të Ukrainës.

Pavarësisht ndihmës masive ushtarake dhe financiare perëndimore, Moska ende kontrollon pothuajse një të pestën e territorit të Ukrainës, duke përfshirë gadishullin e Krimesë në Detin e Zi, i cili u aneksua në vitin 2014.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ndodhet gjithashtu në Kiev, si dhe kryeministri i Belgjikës Alexander de Croo.

Si kryetare në detyrë e grupit G7 të vendeve të industrializuara demokratike, Meloni do të kryesojë një videokonferencë të liderëve nga Kievi sot në mbrëmje. Në takim do të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky.

G7 përfshin Italinë, SHBA-në, Kanadanë, Britaninë e Madhe, Japoninë, Francën dhe Gjermaninë. Shumica e liderëve do t’i bashkohen takimit përmes lidhjes me video.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like