Tregtarët e peshkut në ankth për lëshimin e ujërave të Fukushimës në oqean: Askush nuk do ta blejë (fotot)

by admin
Spread the love

Plani për derdhjen në oqean të mbetjeve të impjantit bërthamor japonez kanë shkaktuar që tani rënien e çmimit të prodhimeve të detit nga zonat bregdetare.

Qyteza bregdetare Awa-jinja pranë impjantit të Fukushimës në Japoni është një vend pelegrinazhi për shumë peshkatarë supersticiozë që vijnë këtu për t’iu lutur zotave Shinto, para se të dalin me barkë në Paqësor, shkruan britanikja The Guardian.

Por shqetësimi i tyre i fundit nuk janë më valët e detit, teksa bura e gra vijnë në tempull në fund të ditës së punës për t’u lutur kundër humbjes së të ardhurave.

“Kjo sapo ka nisur, çmimet kishin rënë në ankandin e mëngjesit të sotëm”, thotë tregtarja e peshkut Haruko, ulur në hije para stendës së saj, teksa të tjerë me një zorrë uji pastrojnë çimenton nga mbetjet e tregtisë së peshkut.

“Kemi shqetësimin e asaj,” thotë gruaja duke treguar nga deti, dhe duke iu referuar nxjerrjes jashtë përdorimi të impjantit bërthamor Fukushima Daiichi pas goditjes nga tërmeti e tsunami në mars 2011.

Sot mediat pasqyronin imazhet e vrazhda sesi inxhinierët hapnin valvulat e lëshimit të parë të 1.3 mln ton ujëra mbetje të impjantit në det.

“Familja jonë ha vetëm prodhime deti nga Fukushima por tani njerëzit nuk do ta blejnë më,” thotë Haruko, nënë e tre fëmijëve, duke refuzuar të jepte mbiemrin e saj. “Askush nuk do t’ia japë atë ushqim fëmijëve të tyre. Dhe nëse njerëzit nuk blejnë peshk nga Fukushima, unë mbetem pa punë”.

Vendimi i pashpjeguar i qeverisë japoneze ka bërë qe Kina të ndalojë prodhimet e detit nga Japonia prej frikës së kontaminimit të tyre.

Me të drejtë komunitetet bregdetare tremben se pompimi në det i ujit të kontaminuar është kambana e vdekjes për industrinë lokale të peshkimit.

Grupi që operon impjantin Tokyo Electric Power (Tepco), thotë se përdor filtrim për të reduktuar radionuklidët në ujë, por kjo teknologji nuk largon dot tritiumin, izotopin radioaktiv të hidrogjenit, edhe pse shumë shkencëtarë thonë se “nuk shkakton dëme te njeriu në doza të vogla”.

71 vjeçari Haruo Ono, thotë se fjalët e qeverisë nuk kanë bërë shumë për të mbrojtur atë dhe të tjerë nga frikë për sigurinë e prodhimit. Ai shton se lëshimi në det i ujërave të kontaminuar do të shkatërrojë për të paktën një dekadë industrinë e peshkimit në rajon.

Disa në Fukushima e pranojnë arsyetimin për lëshimin në ujë të mbetjeve gjatë 30 – 40 viteve të ardhshme, por shumë besojnë se qeveria nuk ka bindur asnjë për sigurinë e prodhimit të tyre, shkruan TheGuardian.

Qeveria ka caktuar një fond ¥80 miliardë ($550 milionë) për dëmin e mundshëm të shkaktuar ndaj peshkatarëve, por peshkatari Ono thotë se më mirë të punojë pa frikë sesa të jetë i varur nga ndihma financiare.

“Kjo është puna ime,” thotë ai. “Deti është vendi ynë i punës … ne me të jetojmë.”