Tre derbi në 26 ditë, Ançeloti: Nuk dua të luaj ndaj Atletikos, por dëshiroj t’a mund Simeonen

by admin
Spread the love

Nga Riadi (Arabia Saudite) në Madrid, nga sot e deri më 4 shkurt 2024, Reali i Madridit dhe Atletiko e Madridit do të përballen tri herë mes tyre mes Superkupës, Kupës së Mbretit dhe kampionatit spanjoll, duke ndezur Spanjën.

Ndaj çfarëdo që të ndodhë sonte në mbrëmje (20:00) në derbin e Riadit, kushdo që mposhtet së shpejti do të ketë mundësinë të hakmerret. Shorti për “Copa del Rey” ka qenë kapriçoz dhe ka sjellë një tjetër përballje mes Realit të Madridit dhe Atletikos, por që do të luhet në stadiumin e “colchoneros”. Dhe për ta mbyllur, më 4 shkurt do të luhet derbi i tretë radhazi në La Liga në “Bernabeu”. Gjithçka në 26 ditë.

PRECEDENTËT – Kjo nuk do të jetë hera e parë që Reali dhe Atletiko do të përballen kaq shpesh mes tyre në një kohë kaq të shkurtër. Në sezonin 2014-2015 pati dy “stuhi” derbi. Në fillim të atij sezoni dy gjigantët e Madridit u përballën në finalen e Superkupës së Spanjës (atëherë në një ndeshje të dyfishtë) dhe në ndeshjen e tretë të Ligës në një periudhë, si tani, prej 26 ditësh.

Në të njëjtin sezon, më vonë, raundi i 1/8-ave të Kupës së Mbretit (atëherë vajtje-ardhje) çoi në tre derbi të tjerë në 32 ditë. Në sezonin 2016-2017, kur u takuan në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, pati tre derbi në 33 ditë. Në sezonin 1979- 1980 pati tre derbi në vetëm 21 ditë, teksa rekordi mbahet në sezonet 1963-1964 dhe 1958- 1959 me Realin dhe Atletikon që kanë luajtur tri derbi në vetëm 14 ditë.

ANÇELOTI – Për përplasjen e trefishtë kundër Atletikos së Madridit në më pak se një muaj ka folur edhe trajneri i Realit, Karlo Ançeloti. Italiani ka saktësuar se nuk ndien ndonjë kënaqësi të veçantë që do të përballet kaq shpesh me Atletikon, një rival aspak komod. Për më shumë që në këtë sezon është e vetmja skuadër që e ka mundur Realin e tij.

“Kalendari është ai që është. Personalisht, nuk më pëlqen të luaj kaq shpesh kundër Atletikos, ata janë një ekip shumë i komplikuar. Por mendoj se ata kanë të njëjtin mendim për ne, nuk na duan përballë. Ne jemi dy skuadra shumë të forta dhe përballja mes nesh do të jetë mjaft e ndërlikuar”, tha italiani.

OBJEKTIVI – Por Ançeloti nuk ka hequr dorë nga objektivi i Realit që është të sigurojë një vend në finalen e Superkupës edhe si një shenjë revanshi për humbjen në La Liga, shtatorin e vitit të kaluar.

“Ajo ishte një ndeshje që na lëndoi shumë. Ndaj takimi i Superkupës është një mundësia e mirë për të marrë revanshin. Ne vijmë në këtë ndeshje në formë të mirë dhe shoh entuziazëm në skuadër. Me Simeonen jam komshi, por në këtë ndeshje dua ta mund. Por për të fituar ndaj Atletikos duhet të luajmë në maksimumin tonë, sepse janë një skuadër tepër e ndërlikuar”, deklaroi Ançeloti.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

You may also like