Tragjedia e refugjatëve ukrainas një deja vu për shqiptarët e Kosovës në 23 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s

by admin
Spread the love

Nga Florion Metohu

Ajo që po ndodh në Ukrainë, që prej 24 shkurtit të këtij viti, është diçka që Europa nuk e kishte imagjinuar ose ndoshta refuzonte ta imagjinonte edhe pse shenjat ishin të qarta që prej sulmit në Gjeorgji në 2008 apo aneksimin e Krimesë në 2014 nga ana e Rusisë.

Duke e justifikuar sulmin me denazifikimin dhe defashistizimin e Ukrainës, një logjikë që të bën të mendosh se e ka humbur sensin e realitetit kur mendon se vet presidenti i atij vendi është Hebre, presidenti rus Putin riktheu përsëri luftën pushtuese në shkallë të gjerë në Europë, që prej Luftës së Dytë Botërore.

Pasojat ekonomike dhe gjeopolitike janë akoma të pa matshme saktësisht por, një gjë është më se e qartë në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Shkatërrimi dhe tragjedia njerëzore e popullit ukrainas nga ky sulm ushtarak, i urdhëruar nga një diktator që ëndërron lavdinë e humbur, është një dramë që po na shfaqet çdo ditë në makabritetin e vet dhe që gjithsecili prej nesh do të donte të mos bëhej një spektator i pafuqishëm.

Sipas te dhënave të fundit të World Health Organization (WHO), më shumë se 7 milion banorë janë shpërngulur nga vendbanimet e tyre në Ukrainë, 4 milion prej të cilëve jashtë kufijve, shumica në Poloni.

Ndoshta reagimi më ekzemplar dhe për tu vlerësuar i Europës deri tani dhe në veçanti, i shteteve fqinje me Ukrainën, është humanizmi dhe mikëpritja që po i bëjnë një populli, i cili po kërcënohet me vetë ekzistencën e tij si një entitet i lirë për të vendosur të ardhmen.

24 marsi shënon plot një muaj nga nisja e luftës të pa provokuar të Rusisë ndaj Ukrainës por, ajo shënon dhe 23 vjetorin e një operacioni që për shqiptarët dhe sidomos për ata të Kosovës, do të ngelet në histori.

Në 24 mars të 1999, do të fillonte Operation Allied Force, një fushatë bombardimi i NATO-s kundër Serbisë, për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik të 2 milion shqiptarëve të Kosovës. Aksioni i vendosur i aleancës së Atlantikut të veriut do përfundonte në 10 qershor të atij viti me arritjen e marrëveshjes së tërheqjes nga Kosova të ushtrisë serbe, prelud i një Kosove të pavarur.

Vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës do të ngelen gjatë në kujtesën kolektive, ashtu siç do të ngelen gjatë në kujtesën kolektive të ukrainasve shkatërrimi, masakrat dhe vuajtjet e shkaktuara nga një lunatik në Kremlin, i cili kërcënon, jo vetëm ekzistencën e Ukrainës, por mban gishtin te butoni i armëve bërthamore duke shantazhuar gjithë perëndimin me një shkatërrim apokaliptik.

Sigurisht, ekzistenca e këtyre armëve bërthamore e bën të pamundur ndërhyrjen e NATO-s në ndihmë të Ukrainës, një vend “jo anëtar” i asaj organizate. Por perëndimi mund ta mbështes ekonomikisht, financiarisht dhe ushtarakisht.

Përtej çdo pritshmërie, forcat ukrainase po shkërmoqin aureolën e krijuar për forcën ushtarake konvencionale ruse dhe modernizimin e saj gjatë 20 viteve në pushtet të Putin. Sa më shumë ditë kalojnë, aq më poshtëruese shndërrohet situata për ushtrinë dhe vetë udhëheqjen në Moskë, duke e bërë të qartë për komunitetin ndërkombëtar se, e vetmja arsye për tu marrë seriozisht Rusia dhe Putin, janë arsenali bërthamor.

Ky është momenti që Perëndimi të bëj më shumë, “Mbreti është lakuriq”.

 

You may also like