Tottenham-Liverpool ndahet në barazim, i fituar del vetëm Manchester City

by admin
Spread the love

Liverpool mund t’i thotë lamtumirë shpresave për titullin kampion pasi u ndal në shtëpi nga Tottenhami me rezultatin 1-1. Goli i Son dhe rreshtimi i mirë në mbrojtje nga lojtarët e Contes frenuan të besuarit e Klopp që arritën të shënonin vetëm një herë me anë të Luis Diaz. Kështu me tre javë nga përfundimi i kampionatit Liverpooli ndodhet në kuotën e 83 pikëve, po aq sa Manchester City i cili ka edhe një ndeshje më pak.

Nuk ka kohë për të studiuar kundërshtarin dhe Tottenham hidhet menjëherë në sulm për të gjetur golin e avantazhit. Fillimisht Rodrigo Bentacur e më pas Harry Kane shpërdorojnë dy raste të mira shënimi që mund të ndryshonin rezultatin.

Nga ana tjetër Luis Diaz e Van Dijk vënë në provë Hugo Lloris, por fillimisht me një superpritje e më pas i ndihmuar edhe nga shtylla mban portën të paprekur.

Shans të artë shënimi ka edhe Emil Hojbjerg, por për fatin e tij të keq edhe këtë herë topi goditi shtyllën. Kështu, pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura duke lënë gjithçka hapur për fraksionin tjetër.

Diçka më shumë se 10 minuta nga fillimi i pjesës së dytë dhe “Anfield” shtanget dhe hesht pasi Heung-Min Son gjendet vetëm në qendër të zonës pas një pasimi të Sessegnon dhe me portën e boshatisur i çon shifrat në 1-0.

Me këtë rezultat Liverpooli shikon shpresat për titull të veniten ndjeshëm dhe nuk e humbet toruan. Ekipi i Klopp reagon menjëherë me Luis Diaz, por goditja e tij bllokohet.

Megjithatë, në minutën e 74-t do të ishte sërish Luis Diaz që i ndihmuar edhe nga një devijim i mbrojtjes së Tottenhamit me fat mposhti portierin Hugo Lloris duke vendosur sërish baraspeshën në “Anfield”.

Liverpoolit i duhet edhe një gol për të dalë nga ky takim me tre pikët që janë një domosdoshmëri, ndërsa Tottenham duket i kënaqur me një pikë dhe mbrohet mirë, ndërsa diçka më shumë e provon vetëm me kundërsulme.

Megjithatë hapësirat e pakta të lëna nga të besuarit e Contes dhe kundërsulmet e ndaluara nga lojtarët e Liverpool nuk lejojnë të krijohen shumë raste të rrezikshme duke e lënë sfidën të mbyllet me rezultatin 1-1.

Liverpooli kështu brazon në pikë Manchester Cityn në kuotën e 83 pikëve, por me tre javë nga fundi i kampionatit tashmë e shikon edhe më të vështirë fitimin e titullit. “Qytetarët” kanë edhe një ndeshje më pak dhe në rast triumfi do të shkonin në +3 nga rivalët e tyre.

Nga ana tjetër një pikë që nuk i bënë punë as Tottenhamit që ndodhet një pikë larg zonës Champions, por Arsenali i vendit të katërt ka një ndeshje më shumë për të rikuperuar. /oversport.tv

You may also like