Tjetër rezultat shokues në Katar, Gjermania përmbyset dhe mposhtet nga Japonia

by admin
Spread the love

Gjermania është ekipi i radhës që zhgënjen në ndeshjet e para të Kupës së Botës në Katar pasi është përmbysur nga Japonia. Sfida përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të aziatikëve të cilët e panë veten në disavantazh pas penalltisë së realizuar nga Gundogan, por përmbysën gjithçka me Doan dhe Asano.

Ndeshja nis mirë për Japoninë që gjen golin e parë me anë të Maeda, por anësori sinjalizon për një pozicion jashtë loje. Nga ana tjetër kundërpërgjigjet Gjermania që ka një mundësi të mirë me Kimmich. Në minutën e 33 prishen edhe ekuilibrat e takimit me Ilkay Gundogan që realizon golin e parë të takimit me një 11-metërsh.

Të besuarit e Hansi Flick gjejnë edhe njëherë rrugën e rrjetës me Kai Havertz, por ky i fundit ndodhet në pozicion jashtë loje dhe sistemi VAR anulon gjithçka. Pjesa e parë mbyllet në avantazhin minimal të Gjermanisë që në këtë fragment luan dukshëm më mirë.

Edhe pjesa e dytë niset mirë nga Gjermania që ka mundësi të dyfishojë gjithçka sërish me Gundogan, por goditja e tij ndalet nga shtylla. Kur pritet që Gjermania të japë goditjen finale për të mbyllur takimin, është Japonia që surprizon.

Në minutën e 75-të Doan vendos baraspeshën duke e çuar rezultatin në 1-1. Gjermania hidhet në sulm për golin e fitores, por është sërish Japonia që i shokon të gjithë. Asano realizon edhe golin e dytë për Japoninë dhe përmbys gjithçka në mënyrë surprizë.

Minutat e mbetura të takimit prodhojnë disa raste për Gjermaninë, por nuk është konkrete në finalizim. Në fund sfida mbyllet me fitoren surprizë të Japonisë që del me pikë të plota përballë katër herë kampionëve të botës.

Foto: FIFA World Cup, Twitter

You may also like