Tjetër humbje nga PSG, Monaco i jep leksion në shtëpi

by admin
Spread the love

Vazhdon ecuria jo e mirë e PSG pas eliminimit nga Champions League. Këtë herë Messi dhe yjet e tjerë u mposhtën nga Monaco me rezultatin 3-0. Ekipi nga Principata arriti të anulonte yjet e PSG duke dalë me tre pikë nga ky takim falë golave të Ben Yedder dhe Volland.

Pjesa e parë do të niste shumë vrullshëm për vendasit që rrezikuan dy herë portën e Donnarummas që në minutat e para të takimit. Megjithatë, gardiani italian arriti të nxirrte nga repertori i tij dy pritje fantastike për të ndalur topin të shkonte në rrjetë.

Megjithatë, në minutën e 25-të Ben Yedder surprizoi Donnarumman duke realizuar një gol mjaft të bukur. Një krosim në gjysmëlartësi nga Fofana u kthye më pas në një gol fantastik nga Ben Yedder.

Ndërkohë që pjesa e parë do të mbyllej me një rast të shfrytëzuar në mënyrë shumë të keqe nga Achraf Hakimi. Mbrojtësi maroken kishte mundësinë të vendoste ndeshjen sërish në ekuilibër, por nuk arriti dot të finalizonte si duhej.

Në pjesën e dytë, Monaco do të gjente edhe golin e dytë me anë të Volland. Një pasim i Aguilar gjeti të pambuluar në zonë Volland që nga shumë pranë portës e çoi topin në cepin e djathtë e më pas në rrjetë.

Ben Yedder do të plotësonte edhe dygolëshin e tij personal në minutën e 84-t të takimit falë një 11-metërshi. Donnarumma arriti të ndalte fillimisht topin, por devijimi i tij e çoi më pas në anën tjetër të portës duke lejuar topin të hynte në rrjetë.

Kështu, Monaco i shkaktoi një tjetër humbje PSG këtë sezon. Ekipi i Pochettinos qëndron gjithsesi në krye në kuotën e 65 pikëve, i shkëputur nga vendi i dytë me 15 pikë. Nga ana tjetër, Monaco ngjitet në vendin e shtatë me 44 pikë të grumbulluara. /oversport.tv

LIGUE 1 – Java 29
Monaco – PSG 3-0
Shënues:
Ben Yedder 25’, (pen) 84’,  Volland 68’

Foto: AS Monaco, Twitter

You may also like