Tirana pa rival në kampionat, mposht Teutën dhe fluturon e qetë në krye

by admin
Spread the love

Tirana vazhdon të fluturojë në krye të Superiores pasi mposhti në javën e 23 Teutën në transfertë. Ndeshja përfundoi me rezultatin 2-0, ndërsa kryeqytetasit nuk e diskutuan në asnjë moment fitoren në këtë takim.

Taulant Seferi zhbllokoi rezultatin në minutën e 17 të takimit i ndihmuar edhe nga një gabim fatal i portierit Dema. Sulmuesi goditi nga jashtë zone një top që nuk po shkonte me forcën e duhur drejt portës, por Demës i shpëtoi topi nga duart dhe më pas u ndal në rrjetë.

Teuta nga ana tjetër u përpoq të rivendoste ekuilibrat me anë të Hebaj, por goditja e tij me kokë kaloi shumë pranë shtyllës, ndërsa rezultati në pjesën e parë qëndroi i pandryshuar.

Pjesa e dytë nisi me polemika me Tiranën që kërkoi një 11-metërsh për një ndërhyrje të gabuar në zonë ndaj Seferit. Megjithatë, gjyqtari i ndeshjes e konsideroi gjithçka si të rregullt duke vazhduar lojën.

Edhe goli që dyfishoi rezultatin do të vinte sërish nga këmbët e Seferit. Sulmuesi dribloi mjaft bukur në zonën kundërshtare dhe më pas mposhti edhe portierin për të çuar rezultatin në 2-0.

Kështu, në pjesën tjetër të takimit Tirana u përpoq të menaxhonte avantazhin dhe ia doli mjaft mirë duke e mbyllur takimin me rezultatin 2-0. Tre pikë të rëndësishme për Tiranën që vazhdon e qetë në krye dhe tashmë ngjitet në kuotën e 52 pikëve. Nga ana tjetër, Teuta qëndron në vendin e gjashtë në kuotën e 25 pikëve. /oversport.tv

Superiore – Java 23
Teuta-Tirana 0-2
Shënues:
Seferi 17’, 60’

You may also like