“Thjesht numëroj xhirot”, notarja 99-vjeçare thyen tre rekorde botërore – Shqip

by admin
Spread the love

Në kohën kur Betty Brussel më në fund mbërrin në vijën e finishit dhe del nga pishina, një notar olimpik do ta kishte përshkuar të njëjtën distancë 3 herë. Por vendosmëria e heshtur e 99-vjeçares kanadeze e ka shtyrë që të thyejë rekorde botërore dhe e ka shndërruar në një personazh të famshëm në komunitetin e notarëve amatorë.

Në një takim noti në Saanich, British Columbia, Brussel theu rekordin ekzistues botëror në 400 metra stil i lirë, duke reduktuar me gati katër minuta nga standardi i mëparshëm në klasën e moshave 100 deri në 104 vjeç. Në të njëjtën ditë, ajo theu dy rekordet e saj në dy stile të ndryshme në 50-metërsh.

“Kur garoj, nuk mendoj për asgjë. Thjesht numëroj xhirot kështu që e di sa më ka mbetur. Përpiqem të gjej gjithnjë një ritëm që mund ta ruaj sepse po i kërkon shumë trupit në këto gara. Në xhiron e fundit, jap gjithçka kam”, shprehet ajo.

E lindur në vitin 1924 në Hollandë, Brussel dhe motrat e vëllezërit e saj mësuan të notonin në kanalet pranë Amsterdamit. Në 1959 ajo dhe bashkëshorti i saj, Gerrit u shpërnngulën në Kanada ku rritën tre fëmijë. Brussel nisi të merrte pjesë në konkurset e notit në mes të të 60-ave, kur garoi në British Columbia Senior Games. “Nuk e kisha idenë se ç’po bëja”, thotë ajo por tashmë ishte përfshirë.

Edhe pse ajo nuk është ende 100 vjeçe, noti përdor ditëlindjen e konkurrentëve për të përcaktuar kategorinë e moshës ndaj Brussel do të konkurrojë në kategorinë 100-104 vjeç. Ajo ka grumbulluar medalje të cilat nuk arrin t’i ngrejë dot.

Zakonisht, notarët janë më të fuqishëm rreth të 20-ave të tyre. Brussel mendon se në rastin e saj ka qenë rreth moshës 80-vjeçare.

“As nuk mendoj për rekordet. Thjesht notoj. Bëj më të mirën. Nëse është një rekord, mirë. Nëse fitoj, jam e lumtur. Por nëse kënaqem, jam më e lumtur”.

Duke qenë se në grupin e saj ka pak notarë, është thuajse gjithnjë e sigurt se Brussel do të arrijë një rekord sa herë futet në pishinë. Në disa gara, asnjë moshatar i saj nuk e ka përshkuar distancën çka do të thotë se ajo vendos rekorde edhe thjesht duke arritur finishin.

99-vjeçarja jeton vetëm por shëndeti i shkëlqyer dhe lëvizshmëria e saj janë në sajë të disa aktiviteteve. Ajo lexon, zgjidh formuese dhe fjalëkryqe, qëndis dhe punon me shtiza./tvklan.al

You may also like