​Thatësira zgjat për një vit kufizimin e kalimeve në Kanalin e Panamasë

by admin
Spread the love

Kohëzgjatja e kufizimit të kalimeve për shkak të thatësirës në Kanalin e Panamasë, që lidh Oqeanin Atlantik me Oqeanin Paqësor, është zgjatur për një vit, njoftuan autoritetet.

Autoritetet e Kanalit të Panamasë njoftuan se kalimi i anijeve nëpër kanal do të kufizohet edhe për një vit për shkak të thatësirës që ka ulur nivelin e ujit, raportoi Anadolu Agency.

Ilya Espino, zëvendësdrejtoreshë e Administratës së Kanalit të Panamasë, tha për shtypin se kufizimi i kalimeve do të jetë i vlefshëm nëse shirat nuk rrisin nivelin e ujit në kanal në shtator, tetor dhe nëntor.

Në një deklaratë me shkrim nga administrata e kanalit thuhet: “Ndërsa ne nuk mund ta kontrollojmë natyrën, ne mund t’i përshtatim operacionet tona për të siguruar një fluks konkurrues të anijeve. Liria e zgjedhjes është jetike. Ne kuptojmë se klientët tanë kanë zgjedhje dhe është detyra jonë të sigurojmë që shërbimet tona të mbeten zgjedhja më e mirë. Nëse klientët zgjedhin një rrugë tjetër përkohësisht, ne e respektojmë dhe e kuptojmë vendimin e tyre”.

Ndryshe, Kanali Panamasë po përjeton periudhën më të thatë prej më shumë se një shekulli dhe ka nevojë për ujëra shiu.

Sipas njoftimeve, më shumë se 200 anije janë bllokuar në rrugën ujore prej 80 kilometrash që lidh Atlantikun me Paqësorin, ndërsa disa kompani po kërkojnë rrugë alternative.

Sipas ekspertëve, kufizimet, që rrisin kostot e transportit për firmat, mund të bëjnë më shumë presion mbi çmimet e mallrave të konsumit.

Më 30 korrik, u vendos që të kufizohej numri i anijeve që kalonin Kanalin e Panamasë në 32 në ditë.


Top Channel

You may also like