Teuta gjunjëzon Partizanin! Kukësi përmbys Egnatian në Rrogozhinë me shifrat 1-2

by admin
Spread the love

Partizani regjistron hapin fals të radhës në kampionat dhe këtë herë e bën me skuadrën e Teutës në shtëpinë e tij, ku mundet me shifrat 0-2.

Në sfidën kur pritej kthesa dhe tentativa për të rimarrë kreun, kryeqytetasit zhgënjyen totalisht përballë një Teute që nën drejtimin e Edi Martinit ka rilindur dhe jo vetëm i është larguar fundit, por po sheh edhe nga Europa.

Dy gola “ish”-ësh hodhën në tapet Partizanin, teksa në pjesën e parë ishte Albion Marku që lëshoi një goditje spektakolare me të majtën dhe ndali topin në trekëndëshin e portës së Alban Hoxhës.

Më pas në të dytën ishte radha e fantazistit Sherif Kallaku, i rikthyer te Teuta vetëm pak ditë më parë, që të shënonte edhe golin e dytë, këtë herë nga pika e bardhë e penalltisë, me një ekzekutim të saktë.

Me këtë fitore, “Djemtë e detit” ngjiten në kuotën e 21 pikëve, vetëm 5 më pak se Egnatia e vendit të katërt, teksa vlen të theksohet se nën drejtimin e Edi Martinit, Teuta ka marrë 13 pikë nga 18 pikë të mundshme.

Nga ana tjetër, Partizani vijon të lëshojë terren dhe me një pikë në tre ndeshjet e fundit, jo vetëm që ka lëshuar kreun, por fitoren e fundit në superiore e ka regjistruar vitin e shkuar, pikërisht më 21 dhjetor përball Tiranës.

Kukësi arriti një fitore të rëndësishme 1-2 përballë Egnatias në stadiumin “Arena Egnatia”. Ekipi i Rrahman Hallaçit triumfoi me përmbysje dhe përkohësisht i largohet vendit të fundit në renditjen e Superiores.

Skuadra nga Rrogozhina humbi një shans të mirë për t’u ngjitur në vendin e tretë, ndërkohë që regjistroi ndeshjen e tretë pa fitore në fushën e vet.

Egnatia fitoi një penallti në minutën e 35’, të cilën e ekzekutoi saktë braziliani Fernando. Kukësi reagoi në pjesën e dytë, shënoi dy gola dhe u rikthye në shtëpi me tri pikë të arta.

Barazimi erdhi në minutën e 70’, moment kur gjuajtja e Edison Ndrecës u devijua në portën e tij nga Renato Malota. Verilindorët morën zemër dhe katër minuta nga fundi gjetën golin e fitores.

Boshnjaku Mirza Delimedjac, i cili u fut në fushë në mesin e pjesës së dytë, realizoi një gol të bukur dhe i dhuroi triumfin e shumëpritur skuadrës së tij.

 


Top Channel

You may also like