Tetë pikë të lëna jashtë nga Elbasani, mbrojtësi: Nuk falim, të thyejmë “mitin” e transfertave

by admin
Spread the love

Elbasani do të sfidojë vendin e fundit në renditje këtë javë. Udhëtojnë në Luz për të matur forcat me ekipin vendës. Ndonëse në letër mund të duket një përballje e lehtë, verdheblutë e kanë seriozisht. Punë bëjnë vetëm tri pikët dhe nuk kanë në plan që të falin më. Kështu shprehet për “Panorama Sport” edhe mbrojtësi Miklovan Pere. Nuk e nënvlerëson për asnjë moment kundërshtarin, ndonëse është i bindur për vazhdimësinë.

miklovan pere

“Ne nuk shohim kë kundërshtar kemi përballë. Ndaj të gjithëve kemi vetëm një synim: të marrim maksimumin. Luzi 2008 vërtet është në vendin e fundit, por nuk e nënvlerësojmë. Për ne nuk ka ndonjë dallim pozicioni, pasi njëlloj përgatisim ndeshjen. Na bëjmë punën vetëm tri pikët dhe për këtë do të zbresin në fushë”, u shpreh fillimisht pogradecari, që këtë sezon erdhi nga ekipi kampion i Maqedonisë së Veriut, Struga Trim Lum.

PENGESAT

Transfertat janë bërë “makth” këtë sezon për elbasanasit. Kanë lënë jo pak, por 8 pikë rrugës (nga një barazim me Kastriotin dhe dy humbje me Korabin dhe Flamurtarin). Edhe kur kanë fituar, nuk është se kanë bindur. Për qendërmbrojtësin kjo situatë e ka një shpjegim

“Elbasani është një ekip me kualitete që mundohet të qarkullojë topin dhe të kontrollojë lojën. Mirëpo, kur nuk është një terren i mirë, hasim vështirësi. Prandaj ka ndodhur që të kemi gabuar apo mos shfaqim dot vlerat tona reale, siç ndodh në shtëpi. Duke parë edhe motin e keq, të shpresojmë që në Luz të kemi një terren sa më të përshtatshëm dhe ne të tregojmë më të mirën tonë”.

POTENCIALI

Elbasani afroi këtë sezon lojtarë kampionë, njëri prej të cilëve është edhe Miklovan Pere. Sipas 32-vjeçarit, potenciali i vërtetë i skuadrës nuk ka dalë ende në pah, por do ta tregojnë në vijim.

“Të them të drejtën mendoj se deri tani nuk e kemi treguar ende Elbasanin e vërtetë. Mendoj që për pak kohë gjithsecili do ta kuptojë që ky ekip ka vlera dhe peshë të rëndë. Ne kemi hyrë këtë kampionat me idenë që sezonin e ardhshëm të jemi në Superiore, duke ditur potencialin që kemi. Nuk mund të them se nuk kemi bërë mirë deri më tani, edhe pse kemi pasur mundësi për më shumë. E rëndësishme është që kur të mbyllet sezoni të kemi arritur objektivin”, mbylli prononcimin e tij për gazetën pogradecari. Ai ka fituar një fanellë titullari në qendër të mbrojtjes elbasanase për këtë sezon, ndonëse konkurrenca është e madhe.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

You may also like