TEL AVIV – Netanyahu kritikon qëndrimin rus ndaj Gazës gjatë bisedës me Putinin

by admin
Spread the love



TEL AVIV, 10 dhjetor /ATSH-DPA/  – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kritikuar qëndrimin e Rusisë për luftën në Gaza në bisedimet me liderin e Kremlinit, Vladimir Putin.

Zyra e Netanyahut njoftoi sot se udhëheqësi izraelit ka shprehur pakënaqësinë e tij me qëndrimet e marra nga përfaqësuesit rusë në Kombet e Bashkuara dhe në forume të tjera ndërkombëtare.

“Netanyahu gjithashtu shprehu kritika të ashpra për bashkëpunimin e rrezikshëm midis Rusisë dhe Iranit”, sipas një përmbledhjeje të diskutimit të ofruar nga zyra e tij.

Kreu i qeverisë izraelite i tha gjithashtu liderit të Kremlinit se çdo vend që ishte goditur me një sulm kriminal terrorist si Izraeli do të kishte reaguar me jo më pak forcë sesa Izraeli po përdor.

Në të njëjtën kohë, Netanyahu shprehu vlerësimin e tij për angazhimin e Rusisë për lirimin e izraelitëve me shtetësi ruse që mbahen robër nga militantët islamikë të Hamasit.

Ai gjithashtu i kërkoi Putinit që Rusia të ushtrojë presion mbi Kryqin e Kuq me qëllim që përfaqësuesit e saj të vizitojnë pengjet izraelite dhe t’u sjellin ilaçe.

Mediet izraelite raportuan se Netanyahu u largua nga mbledhja e kabinetit për një telefonatë 50-minutëshe me Putinin. Mësohet se biseda e fundit ka ndodhur më 17 tetor.

Kremlini fillimisht nuk bëri asnjë njoftim në lidhje me telefonatën.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.






Artikulli paraprakFabrika e përpunimit të fruta-perimeve në Lushnjë, eksporton në 40 vende të botës


You may also like