Synohet fitorja e katër radhazi, Vllaznia një thirrje për “poker” ndaj Kukësit

by admin
Spread the love

Ta nisim aty ku e lamë në fundin e vitit të kaluar: me fitore. Prandaj të gjithë së bashku të dielën për të triumfuar edhe ndaj Kukësit! Forca Vllaznia”. Është kjo thirrja e klubit shkodran për tifozët para ndeshjes me Kukësin, që do të luhet të dielën në orën 17:00 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Kuqeblutë duan të bëjnë “poker” fitoresh, duke marrë të katërtën radhazi pas atyre kundër Dinamos, Tiranës dhe Skënderbeut. Skuadra e Qatip Osmanit po kalonte një formë të shkëlqyer përpara se kampionati të ndërpritej për 20 ditë. Gjithsesi, të dielën shkodranët do të kërkojë sërish triumfin e radhës ndaj një skuadre si Kukësi, që i mundi minimalisht në fazën e dytë, ndërsa në fazën e parë, Vllaznia fitoi 3-1. Me ende asnjë afrim në merkaton e janarit, kuqeblutë besojnë te boshti që kanë dhe trajneri Osmani kërkon që t’i marrë më të mirën këtij grupi lojtarësh, duke shpresuar se do të jenë deri në fund në luftë për titullin.

Titullarët – Esin Hakaj, Marko Juriç dhe Ildi Gruda janë mungesat e rëndësishme të Vllaznisë kundër Kukësit. I pari është pezulluar nga Komisioni i Disiplinës dhe i mbeten tre ndeshje për të shlyer dënimin, ndërsa kroati ka plotësuar numrin katër të kartonëve. Nga ana tjetër, sulmuesi Gruda nuk ia doli të riaftësohej pas dëmtimit që ka pësuar në periudhën kur Vllaznia u stërvit në Ulqin. Në ditët e fundit ai ka qenë pjesë e stërvitjes, por nuk e ka kryer me grupin. Kësisoj, prania e tij në fushë me Kukësin duket mision i pamundur, pasi stafi nuk kërkon që të rrezikohet me problemin muskulor që ka pasur Gruda.

Sulmuesi ndalet në momentin e tij më të mirë, teksa vjen pas tripletës kundër Skënderbeut. Nisur nga ajo që trajneri ka provuar në stërvitjen e djeshme, pritet që 18-vjeçari Kevin Dodaj të jetë zëvendësues i Grudës. Ky i fundit ka bindur trajnerin për të marrë një fanellë titullari dhe u provua që në testin me Laçin. Në pozicionet e tjera nuk ka risi. Qarri do të jetë në portë, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Smajli në të djathtë, Stojanoviç dhe Pusi në qendër, si dhe Mala në të majtë. Në mesfushë do të jetë si zakonisht treshja KrymiAlivoda Boshnjaku. Me Balën në majën e sulmit, nga krahët do të jenë pikërisht i riu Dodaj dhe Çoba. Skuadra po kalon një formë të mirë dhe trajneri Osmani ka mbetur i kënaqur për mënyrën si kanë shkuar përgatitjet.

You may also like