Super-lajm për Prishtinën, Besart Berisha pritet të kthehet në stërvitje ditën e hënë

by admin
Spread the love

Futbollisti shqiptar, Besart Berisha, konsiderohet si transferi më “bombastik” i skuadrës më të madhe në Kosovë, FC Prishtina në vitet e fundit.

Sulmuesi me përvojë të madhe ka zbarkuar javë më parë te Prishtina ndërkohë që aventura në kryeqytetin kosovar nuk nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për shkak të një lëndimi të pësuar.

Berisha në ndeshjen Prishtina – Malisheva u largua nga fusha e gjelbër për shkak të dhimbjeve në minisk.

Në një prononcim për Zeri.info, “Besi” njofton se shumë shpejt do t’i bashkohet shokëve të ekipit në stërvitje.

“Kur i’u bashkova ekipit, e pësova një dëmtim në minsku, por kam vazhduar ndërkohë që në ndeshjen ndaj Malishevës, dhimbjet u shtuan dhe u detyrova të largohem nga fusha. Pas disa kontrolleve rezultoi se nuk ka nevojë për ndërhyrje kirurgjike dhe e kam marrë një injeksion. Tashmë jam duke stërvitur nga dy herë në ditë në fitnes dhe nëse gjithçka shkon në rregull, edhe në një vizitë që do ta kem të dielën, të hënën do t’i bashkohem skuadrës në përgatitje”, ka deklaruar Besart Berisha të mërkurën mbrëma për “Zeri.info”.

Në total, Berisha i ka zhvilluar vetëm 18 minuta me Prishtinën duke u inkuadruar në lojë në pjesët e dyta në tre ndeshje.

“Unë kam ardhur që ta ndihmojë skuadrën me gola. Do ta jap më të mirën nga vetja që ta ndihmojë ekipin në arritjen e objektivave”, tha ndër të tjera, Besar Berisha.

Ai erdhi te Prishtina pas një karriere mbresëlënëse në Gjermani, Norvegji, Danimarkë, Angli, Australi e Japoni, me Kombëtaren e Shqipërisë dhe Kosovën.

Futbollisti me prejardhje nga qyteti i Prishtinës ka vendosur t’i bashkohet skuadrës “bardhekaltër” për ta shkrirë gjithë potencialin dhe përvojën e fituar në futbollin botëror për ekipin prishtinas.

You may also like