STRASBURG – Von der Leyen: Të nisin bisedimet e anëtarësimit në BE me Bosnjë-Hercegovinën

by admin
Spread the love

STRASBURG, 12 mars /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian do të rekomandojë sot nisjen e bisedimeve zyrtare me Bosnjë-Hercegovinën për t’u bashkuar me bllokun prej 27 anëtarësh, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.

“Bosnjë-Hercegovina ka bërë hapa mbresëlënës përpara. Vendi ka bërë më shumë progres në pak më shumë se një vit, krahasuar me një dekadë të tërë”, tha sot Von der Leyen gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian, në Strasburg.

“Ne do t’i rekomandojmë këshillit hapjen e negociatave të pranimit me Bosnjë-Hercegovinën”, shtoi ajo.

Njoftimi do të thotë se ekzekutivi i BE-së është i kënaqur me përmbushjen e kritereve të nevojshme nga ana e Bosnjë-Hercegovinës, për të filluar bisedimet zyrtare për anëtarësimin në BE.

Megjithatë, vendimi për fillimin e bisedimeve ka nevojë për miratimin unanim nga krerët e vendeve anëtare të BE-së, të përfaqësuar në Këshillin Evropian. Ata do të takohen në Bruksel më 21 dhe 22 mars.

Bosnjë-Horcegovina aplikoi për t’u bashkuar me BE-në në 2016 dhe këshilli e njohu atë si një vend kandidat zyrtar për anëtarësim në 2022.

Në nëntor të vitit të kaluar, komisioni tha se bisedimet e pranimit duhet të fillonin pasi vendi i kishte përmbushur disa kritere.

“Komisioni do të publikojë sot një raport progresi duke detajuar se si Bosnjë-Hercegovina i ka përmbushur këto kushte”, u tha von der Leyen ligjvënësve.

“Bosnjë-Hercegovina, një nga gjashtë ish-republikat e Jugosllavisë, tani është plotësisht në linjë me politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë, e cila është vendimtare në këto kohë trazirash gjeopolitike”, tha Von der Leyen.

“Vendi ka miratuar “ligje të rëndësishme” për çështje të tilla si parandalimi i konfliktit të interesit, pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit. Menaxhimi i migracionit në Bosnjë-Hercegovinë vazhdon të përmirësohet”, tha ajo.

Ajo vlerësoi gjithashtu progresin për dialogun dhe pajtimin për Luftën e Bosnjë-Hercegovinës 1992-1995 duke theksuar se Ministria e Drejtësisë ka rënë dakord të përfshijë në dosjet e brendshme penale vendimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like