Spektakël në Oversport dhe Tibo! Java e 6-të e Superiores kulmon me derbin e kryeqytetit

by admin
Spread the love

Java e gjashtë e Abissnet Superiore vjen më e zjarrtë se kurrë deri më tani. Përballje të zjarrta. Duele historike. Sfida për të mos u humbur. Nga derbi i madh i kryeqytetit të sfidat që do të luhen në “Niko Dovana”, në Rrogozhinë, në Laç dhe Ballsh.

Kryendeshja e së premtes është përballja mes Bylisit dhe Erzenit, me këta të fundit që janë skuadra e vetme në pa pësuar. Si pakkush edhe në kampionatet elitare europiane. Ballshiotët janë aty, madje në rast triumfi, do të mund të barazonin shijakasit në vend të dytë, me 11 pikë pas 6 javësh. Në Durrës, Teuta pret Vllazninë me shpresën që në të tretën ndeshje me Shkëmbin në pankinë, të mund të kenë një rezultat pozitiv. Ky, edhe si reagim pas disfatës së thellë me Tiranën. Nga ana tjetër, kuqeblutë e Josës kërkojnë konfirmimin, pas rezultateve të luhatura deri më tani.

E shtuna e datës 1 tetor vjen me përballjen Laçi-Kukësi, si pak herë në këto pozita, të dyja në zonën e mbijetesës, respektivisht në vendet tetë dhe dhjetë. Kurbinasit e Vukiçeviç vijnë pas katër humbjeve radhazi, ndërsa për Kukësin, shpresa është që Dobi të mund t’i japë një tjetër marsh skuadrës. Sfida tjetër është ajo në Rrogozhinë mes Egnatias dhe Kastriotit. Dy skuadra që kërkojnë konfirmimin dhe pse jo, me llogaritë afatgjatë, të mund të marrin maksimumin ndaj një ekipi që në fund mund të jetë edhe rivali direkt për objektivat sezonalë.

Partizani-Tirana është sfida kulminante e fazës së parë të Abisnet Superiores. Të kuqtë vijnë në javën e gjashtë me petkun e kryesueses së këtij starti sezoni, ndërsa bardheblutë për të rikuperuar atë që ka ndodhur deri më tani. Emocione dhe spektakël, rivalitet dhe histori. Tifozëri të zjarrta. Gjithçka ndodh, e përcjellë për ju live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo me “Ti Bo Gol” që nga ora 18:00, të dielën e 2 tetorit. / Oversport.tv

You may also like