Specialja arreston dy kosovarë për frikësim të dëshmitarëve – Shqip

by admin
Spread the love

Prokuroria e Specializuar e Kosovës në Hagë ka arrestuar Sabit Januzin dhe Ismet Baftjarin në Kosovë nën dyshimin se kanë frikësuar një dëshmitar. Ata janë transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomës së Specializuar në Hagë.

Siç kanë bërë të ditur Këshillat e Specializuara të Kosovës në Hagë, arrestimi është bërë nga Prokuroria e Specializuar, me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Në ditën e arrestimit, të pandehurve iu dorëzua aktakuza në gjuhën shqipe.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka konfirmuar aktakuzën ndaj Januzit dhe Baftjarit më 02 tetor 2023.

Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se Januzi dhe Bahtjari, më së voni në periudhën prej 5 deri më 12 prill 2023, kanë pasur takime individuale me dëshmitarin 1, me qëllim që ta shtyjnë atë të tërheqë dëshminë e tij.

Në aktakuzën e konfirmuar po ashtu thuhet se Januzi dhe Baftjari janë koordinuar në grup para se të kontaktojnë personalisht dëshmitarin, por edhe më pas.

Sipas aktakuzës, një sjellje e tillë tregon se Januzi dhe Baftjari kanë pasur qëllim që të frikësojnë dëshmitarin, duke penguar zyrtarët, përfshirë prokurorët dhe hetuesit e Prokurorisë së Specializuar, në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.

Në aktakuzën e konfirmuar, Januzi dhe Baftjari akuzohen për këto vepra penale: kanosje dhe tentativë për të penguar zyrtarët në kryerjen e detyrës zyrtare me kërcënime të rënda si individualisht ashtu edhe duke marrë pjesë në aksionin e përbashkët të grupit.

Dalja e parë gjyqësore e Baftjarit dhe Januzit është caktuar për të hënën, më 9 tetor, në sallën e gjyqit të Këshillit të Specializuar të Kosovës në Hagë. /tesheshi.com/

You may also like