Snopçe: Ardhmëria europiane e vendit s’ka alternativë, pos hyrjes së ASH-së në Qeveri

by admin
Spread the love

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe reagoi ndaj kritikave të opozitës për vendimin e kësaj partie për t’u bërë pjesë e Qeverisë, transmeton TV21.

Nga ulësja në Kuvend, Snopçe pyeti VMRO-DPMNE-në nëse do t’i votojë shkarkimet e ministrave të Qeverisë së deritanishme.

“Meqë VMRO-DPMNE-ja gjithmonë ka qenë kundër kësaj Qeverie, pyetja ime drejt tyre është se a do të votojnë për shkarkimin e ministrave? Nëse ata votojnë “pro”, atëherë kjo procedurë përshpejtohet dhe mund të shkojmë në diskutimin e radhës”, tha Snopçe.

Duke folur për kuorumin e çeljes së seancës për shkarkimin e ministrave, Snopçe ia kujtoi VMRO-DPMNE-së se ajo i bëri kuorum seancës ku duhej të miratohej dokumenti më i rëndësishëm – buxheti shtetëror.

Tha gjithashtu se nuk janë penduar për asnjë deklaratë ku kanë kritikuar qeverinë aktuale.

“Atëherë mund të binte kjo Qeveri. Nëse nuk votohet buxheti, bie Qeveria. Kishte vetëm 56 vota. Ju e bëtë, jo partitë shqiptare. Na thatë se do të hynim në histori nëse nuk pranojmë të hyjmë në Qeveri. Ndoshta, por nuk kemi alternativë. Çfarë do të ndryshojë nëse shkojmë në zgjedhje të parakohshme? Shikoni, ju thatë shumë gjëra. Gjithçka që kemi thënë, nuk jemi pishman…. Por, nëse ne nuk hyjmë në Qeveri, mund të vdesë ardhmëria eurointegruese”, tha Snopçe.

You may also like