SHBA – Trump: Zgjedhjet presidenciale pikë kthese në historinë amerikane

by admin
Spread the love

VANDALIA, 17 mars /ATSH-AFP/ – Ish-presidenti Donald Trump, kandidati republikan në zgjedhjet amerikane në nëntor, i prezantoi këto zgjedhje si një pikë kthese në historinë e vendit.

”5 nëntori do të jetë data më e rëndësishme në historinë e vendit tonë”, deklaroi Donald Trump gjatë një takimi të partisë së tij në Vandalia, Ohio, katër ditë pasi kishte siguruar nominimin republikan.

”Është një përjetësi kur në krye të vendit ke njerëz të paaftë dhe që e çojnë atë drejt rënies së tij”, tha ai duke iu referuar presidentit Biden.

Duke kritikuar ato që ai i përshkroi si planet kineze për të ndërtuar makina në Meksikë dhe për t’ua shitur ato amerikanëve, ai tha se donte “të vendoste një tarifë 100 për qind për çdo automjet që del nga fabrika”.

”Këto makina do të jenë të pashitshme nëse zgjidhem president”, shtoi ai duke besuar në të kundërtën se kërcënimet që rëndojnë mbi industrinë amerikane të automobilave do të ishin ”shqetësimet më të vogla” të SHBA në rast të riemërimit të Joe Biden.

”Nëse nuk zgjidhem, do të jetë një kasaphanë për vendin”, tha Donald Trump.

Ekipi i fushatës së presidentit Biden reagoi ndaj këtyre komenteve të paqarta të komentuara gjerësisht në rrjetet sociale me një deklaratë për shtyp duke e quajtur Donald Trump një “humbës” të zgjedhjeve presidenciale 2020, i cili “po dyfishon kërcënimet e tij për dhunë politike”.

“Ai dëshiron një tjetër 6 janar”, tha ekipi i Joe Biden duke iu referuar sulmit në Capitol Hill nga mbështetësit e Donald Trump në 2021.

Mosha e avancuar e dy kandidatëve për zgjedhjet presidenciale të nëntorit – 81 vjeç për Joe Biden dhe 77 për Donald Trump – është një temë e përsëritur e fushatës, e cila premton të jetë veçanërisht e ashpër, me sulme të kryqëzuara në formën dhe aftësitë fizike dhe njohëse nga pretendentët për Shtëpinë e Bardhë./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like