SHBA – Shtëpia e Bardhë: Financimi amerikan për Ukrainën mund të mbarojë në fund të vitit

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 4 dhjetor /ATSH/ – Shtëpia e Bardhë ka lëshuar një paralajmërim të prerë se SHBA-së do t’i mbarojnë fondet për të ndihmuar Ukrainën deri në fund të vitit duke thënë se dështimi i Kongresit për të miratuar mbështetjen e re do të gjunjëzonte Kievin, sipas FT.

Alarmi nga Shalanda Young, drejtoresha e buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, në një letër drejtuar sot liderëve të Kongresit, përfaqëson vlerësimin më specifik të mbështetjes financiare dhe ushtarake në rënie të Uashingtonit për Ukrainën.

”Pa veprime të Kongresit, deri në fund të vitit ne do të na mbarojnë burimet për të blerë më shumë armë dhe pajisje për Ukrainën dhe për të siguruar pajisje nga rezervat ushtarake të SHBA-së”, u shkruan Young liderëve politikë të të dyja partive.

”Nuk ka asnjë dritare magjike financimi për të përmbushur këtë moment. Na kanë mbaruar paratë dhe pothuajse nuk ka kohë”, tha ajo.

Kërkesa e presidentit Joe Biden për 106 miliardë dollarë fonde emergjente për prioritetet e tij më të mëdha të politikës së jashtme, përfshirë Ukrainën, Izraelin dhe Indo-Paqësorin, mbetet në ngërç në Capitol Hill, e nxitur nga kundërshtimi në rritje i republikanëve për të ndihmuar Kievin.

Disa ligjvënës – veçanërisht në Senat, ku mbështetja për Ukrainën shkon më thellë – po përpiqen të negociojnë një marrëveshje dypartiake që do të ketë ndihmë për Kievin së bashku me procedurat e reja të imigracionit dhe azilit për të zvogëluar numrin e njerëzve pa dokumente që mbërrijnë në SHBA përmes kufirit të saj jugor.

Edhe nëse një marrëveshje arrihet në Senat, megjithatë, është e paqartë nëse ajo mund të kalojë Dhomën e udhëhequr nga republikanët, kryetari i ri i së cilës Mike Johnson ka qenë skeptik për financimin e Ukrainës.

”Ndërprerja e fluksit të armëve dhe pajisjeve amerikane do të gjunjëzojë Ukrainën në fushën e betejës, jo vetëm duke vënë në rrezik fitimet që ka bërë Ukraina, por duke rritur gjasat e fitoreve ushtarake ruse”, i shkroi Young Kongresit.

”Tashmë, paketat tona të ndihmës për sigurinë janë bërë më të vogla dhe dërgesat e ndihmave janë bërë më të kufizuara”. . . ndërsa aleatët tanë në mbarë botën janë rritur për të bërë më shumë, mbështetja e SHBA-së është e rëndësishme dhe nuk mund të përsëritet nga të tjerët”, shtoi ajo.

”Paralajmërimi i Shtëpisë së Bardhë vjen ndërsa vendet anëtare të BE-së po përpiqen të arrijnë një marrëveshje buxhetore në Bruksel që do të dërgonte 50 miliardë euro në Ukrainë”, thanë për ”Financial Times” njerëz të afërt me diskutimet.

Young tha se Ukraina gjithashtu kishte nevojë për mbështetje ekonomike, e cila është në rrezik të ngecjes.

“Nëse ekonomia e Ukrainës shembet, ata nuk do të jenë në gjendje të vazhdojnë të luftojnë”, shkroi ajo.

”Putini e kupton mirë këtë, prandaj Rusia e ka bërë shkatërrimin e ekonomisë së Ukrainës në qendër të strategjisë së saj – gjë që mund ta shihni në sulmet e saj kundër eksporteve të grurit dhe infrastrukturës energjetike të Ukrainës”, shtoi ajo./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like