SHBA përfshin në “listën e zezë” 10 individë nga Ballkani

by admin
Spread the love

TIRANË, 16 nëntor/ATSH/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës të enjten kanë futur në listën e zezë 10 individë, teksa kanë shpallur raundin e radhës të sanksioneve ekonomike në Ballkan.

Sipas faqes zyrtare në internet të Thesarit amerikan, individët e sanksionuar janë nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Në mesin e tyre janë Savo Cvijetinoviq, Petar Gjokiq dhe Dushko Peroviq nga Bosnja e Hercegovina; Miodrag Davidoviq dhe Branisllav Miqunoviq nga Mali i Zi; Ratka Kunoska Kamceva, Irina Samsonenko dhe Sergey Samsonenko nga Maqedonia e Veriut; dhe Misha Vaçiq e Nenad Popoviq nga Serbia.

Petar Gjokiq është Ministër i Energjisë dhe Minierave në qeverinë e Republikës Sërpska (RS) dhe president i Partisë Socialiste atje.

Që nga viti 2010, ai ka mbajtur poste të ndryshme ministrore në qeverinë e këtij entiteti të Bosnjë-Hercegovinës.

Në fillim të nëntorit, në Beograd, me rastin e festimit të festës ruse, Ditës së Bashkimit Kombëtar, atij iu dha një çmim për shërbimet e tij “në forcimin e miqësisë midis RS-së dhe Rusisë”.

Gjokiq dhe Peroviq nuk iu përgjigjën thirrjeve të REL-it për koment.

Cvijetinoviq është edhe kryetar i komunitetit serbo-rus “Zavet”. Gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, ai ishte kreu i Njësive Speciale të Policisë së RS-së.

Kryetari i Partisë Popullore Serbe

Nenad Popoviq, politikan nga Serbia, i afërt me autoritetet ruse, është kryetar i Partisë Popullore Serbe – partnere koalicioni e Partisë Progresive Serbe në pushtet.

Në mbledhjen e fundit të Parlamentit të Serbisë, të shpërndarë para zgjedhjeve që do të mbaheshin më 17 dhjetor, ai ishte deputet i shumicës qeverisëse.

Nga viti 2017 deri në vitin 2022 ka qenë ministër pa portofol në Qeverinë e Serbisë. Partia e Popoviqit bashkëpunon me Rusinë e Bashkuar, partinë e presidentit rus Putin, me të cilën ka nënshkruar disa marrëveshje ndërpartiake.

Si ministër dhe deputet, Popoviq pati takime të shumta me zyrtarë rusë në Serbi dhe Rusi, dhe që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, ai avokoi që Serbia të mos vendoste sanksione ndaj Rusisë.

Biznesmenë nga Mali i Zi – njëri i akuzuar për vrasje, tjetri i përfshirë në luftë

Branislav “Brano” Miqunoviq nga Nikshiqi prej vitesh është i lidhur me biznesin e ndërtimit dhe lojërave të fatit në Mal të Zi, si dhe me kompanitë “Jack Pot” dhe “Zeta Film”.

Pranë Qytetit të Vjetër në Budvë, në vendin e ish-ndërtesës së “Zeta Film”, kompania e Miqunoviqit po ndërton, me partnerë të huaj, një hotel dymbëdhjetëkatësh me kazino.

Miqunoviq njihet si mik i ish-presidentit malazias, Millo Gjukanoviq. Ai u akuzua për vrasjen e Radovan Kovaçeviqit nga Nikshiqi në tetor të vitit 2000, por në vitin 2007 u shpall i pafajshëm, sepse përkundër disa personave të pranishëm gjatë vrasjes, askush nuk e identifikoi Miqunoviqin si personin që qëlloi me armë zjarri.

Miqunoviq ishte gjithashtu një nga të pandehurit në Bari të Italisë për kontrabandë cigaresh gjatë viteve 1990, por, në vitin 2019, kolegji i Gjykatës në Bari e pezulloi procedurën kundër tij për shkak të parashkrimit.

Çështja e duhanit u hap në Mal të Zi në vitin 2001, pasi në Bari filloi një hetim për kontrabandën e cigareve nga Mali i Zi në Itali, në fillim të viteve nëntëdhjetë.

Në hetim janë përfshirë rreth pesëmbëdhjetë persona nga Mali i Zi dhe Italia, mes të cilëve edhe Gjukanoviq. Të gjithë u shpallën të pafajshëm më vonë.

Miodrag “Daka” Davidoviq është biznesmen nga Mali i Zi. Në fillim të viteve ’90, ai ishte shef i policisë në Nikshiq, ndërsa gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, ai ishte ministër në të ashtuquajturën krahinë autonome serbe të Hercegovinës, e cila u themelua nga partia e Radovan Karaxhiqit, i cili u dënua për krime lufte para gjykatës në Hagë.

Në fund të viteve ‘90, Davidoviq ishte gjithashtu i dyshuar për kontrabandë cigaresh, por ato akuza nuk u vërtetuan kurrë.

Arrestimi i tij, për shkak të disa hetimeve financiare, përfundoi me faljen e tij në vitin 1998 nga ish-presidenti i Malit të Zi, Momir Bullatoviq, me të cilin ishte në marrëdhënie kumbarie.

Davidoviq është një nga donatorët më të mëdhenj të Kishës Ortodokse Serbe, prandaj ai mori disa çmime. Edhe pse herë pas here kishte ambicie politike në Mal të Zi, Davidoviq jetonte kryesisht në Beograd, prej nga i drejtonte punët e tij. /rel/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like