GJENEVË – UNICEF ngre alarmin për gjendjen e vështirë të fëmijëve në Libanin jugor

by admin
Spread the love

GJENEVË, 30 prill /ATSH-DPA/- Luftimet midis milicisë shiite Hezbollah dhe Izraelit po zhysin në mjerim dhjetëra mijëra fëmijë dhe të rinj dhe familjet e tyre në Libanin jugor, tha sot Organizata e OKB-së për Ndihmën për Fëmijët, UNICEF.

“Sulmet ajrore pothuajse të përditshme nga Izraeli po shkatërrojnë jetesën e njerëzve, shumë prej të cilëve tashmë jetonin në kushte të pasigurta”, tha organizata.

“Numri i fëmijëve që punojnë është në rritje, disa familje dërgojnë fëmijë deri në 4 vjeç për të punuar në fusha për të fituar jetesën”, tha Ettie Higgins, nënkryetare e zyrës së UNICEF-it në Liban.

Mjekët i kanë treguar asaj për fëmijë 7 vjeç që kërkojnë trajtim për problemet e shpinës, sepse duhet të mbajnë thasë të rëndë mbeturinash çdo ditë.

“Shumë fëmijë janë të kequshqyer dhe të tjerë vuajnë nga ankthi. Kjo ka pasoja për gjithë jetën e tyre”, tha Higgins.

Higgins tha se disa vende kanë reduktuar mbështetjen e tyre humanitare për Libanin.

Si rezultat, shumë programe të UNICEF-it janë ndërprerë në një kohë kur nevojitet më shumë mbështetje se më parë.

Shkollat dhe furnizimet me ujë janë shkatërruar pjesërisht nga sulmet ajrore izraelite dhe qendrat shëndetësore janë mbyllur.

Milicia e Hezbollahut e mbështetur nga Irani ka goditur me raketa, artileri dhe predha kundër Izraelit nga Libani që nga fillimi i luftës në Gaza, më shumë se gjashtë muaj më parë.

Pjesa më e madhe e luftimeve është përqendruar në rajonin kufitar të Libanit.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like