HAGË – Gjykata e lartë e OKB-së refuzon kërkesën për të ndaluar Gjermaninë të armatos Izraelin

by admin
Spread the love

HAGË, 30 prill /ATSH-DPA/- Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) hodhi poshtë sot kërkesën e Nikaraguas për të ndaluar Gjermaninë të eksportojë armë në Izrael, pasi ato ndihmojnë dhe nxisin “gjenocidin” kundër palestinezëve në Rripin e Gazës.

Gjykata e lartë e OKB-së në Hagë nxori vendimin e saj paraprak në procedurën e nisur më 1 mars, në të cilën Nikaragua u kërkoi gjyqtarëve të lëshonin një urdhër urgjent për të ndaluar ndihmën ushtarake të Berlinit për Izraelin.

Nikaragua argumentoi se duke ofruar mbështetje politike, financiare dhe ushtarake për Izraelin, Gjermania po lehtësonte kryerjen e gjenocidit dhe, në çdo rast, ka dështuar në detyrimin e saj për të bërë gjithçka që është e mundur për të parandaluar kryerjen e gjenocidit.

Gjermania akuzoi Nikaraguan për deklarata të rreme, duke thënë se nuk ka eksportuar shumë armë në Izrael. Gjermania argumentoi se ajo furnizon kryesisht armatime të përgjithshme dhe jo armë që mund të përdoren në luftime.

Ndërsa gjykata mbajti anën e Gjermanisë për çështjen e apelit urgjent për dërgesat e armëve, ajo nuk u pajtua me kërkesën e Gjermanisë që çështja e Nikaraguas të hidhej poshtë në tërësi.

Procedurat kryesore – të cilat ngrenë pyetjen nëse mbështetja e Gjermanisë ka mundësuar gjenocidin në Gaza – mund të zvarritet me vite. Vendimet e gjykatës janë të detyrueshme.

Kjo është ankesa e dytë për gjenocid në gjykatën e OKB-së në lidhje me luftën në Rripin e Gazës.

Afrika e Jugut akuzoi Izraelin për gjenocid kundër palestinezëve në Rripin e Gazës në fund të vitit të kaluar dhe bëri thirrje që gjykata të urdhërojë një armëpushim të menjëhershëm dhe të njëanshëm.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like