SHBA dhe Britania kryejnë sulme të reja ndaj grupit Houthi në Jemen – Shqip

by admin
Spread the love

Shtetet e Bashkuara dhe forcat britanike kryen një raund të ri sulmesh kundër objektivave të grupit Houthi në Jemen, thanë të hënën tre zyrtarë amerikanë. Sulmet kundër grupit të lidhur me Iranin, që Shtetet e Bashkuara e kanë rikthyer në listën e organizatave terroriste, janë mes masave ndëshkuese për sulmet ndaj anijeve të transportit të mallrave në Detin e Kuq.

Sipas zyrtarëve, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe përdorën raketa “Tomahawk” të lëshuara nga anije luftarake dhe nëndetëse dhe avionë luftarakë për të shkatërruar qendrat e magazinimit të raketave të rebelëve Houthi, dronët dhe sistemet e lëshimit të raketave. Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se Australia, Bahreini, Kanadaja dhe Holanda kontribuan në këtë mision, duke përfshirë edhe me informacione zbulimi dhe vëzhgimi.

Udhëheqësit e grupit Houthi, të cilët kontrollojnë pjesët më të populluara të Jemenit, kanë pohuar se sulmet e tyre janë në solidaritet me palestinezët e sulmuar nga Izraeli në Rripin e Gazës.

Zyrtarët, duke folur në kushte anonimiteti, nuk dhanë hollësi mbi numrin e objektivave të goditura. Në të kaluarën, forcat e Shteteve të Bashkuara dhe ato të Britanisë kanë goditur kryesisht sistemet raketore dhe radarët e grupit Houthi.

Sulmet rebelëve të grupit Houthi ndaj anijeve tregtare kanë ndërprerë transportin global të mallrave, që kalon përmes Detit të Kuq dhe kanë ngjallur frikën e rritjes së inflacionit. Veprimet e tyre gjithashtu kanë rritur shqetësimin se lufta Izrael-Hamas mund të destabilizojë Lindjen e Mesme.

Megjithatë, sulmet e shumta të Shteteve të Bashkuara gjatë muajit të kaluar nuk kanë arritur të ndërpresin sulmet e grupit Houthi ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.

Anijet me kontejnerë kanë pezulluar lëvizjet në Detin e Kuq dhe Kanalin Suezit, rruga më e shpejtë e dërgimit të mallrave nga Azia në Evropë dhe anasjelltas. Shumë anije janë detyruar të ndjekin rrugën e gjatë rreth Afrikës përmes Kepit të Shpresës së Mirë për të vazhduar operacionet e transportimit të mallrave./VOA

You may also like