SEUL – SHBA-ja dhe Koreja e Jugut përditësojnë planet e përbashkëta për të penguar programet raketore të Koresë së Veriut

by admin
Spread the love

SEUL, 13 nëntor /ATSH-DPA/ –  SHBA-ja dhe Koreja e Jugut kanë rishikuar planin e tyre të përbashkët të parandalimit për të kundërshtuar tensionet e vazhdueshme me Korenë e Veriut.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe homologu i tij koreano-jugor Shin Won Sik nënshkruan sot një përditësim të “Strategjisë së tyre të parandalimit të përshtatur” (TDS) në Seul, përditësimi i parë i tillë në 10 vjet.

Shin tha se nevojitej një përditësim pasi Koreja e Veriut ka avancuar me aftësitë e saj të armëve bërthamore që nga viti 2013.

“Seuli është gjithashtu më i përfshirë në planet e parandalimit të aleatit të tij, SHBA-së”, tha ai.

Të dyja vendet e shohin veten të kërcënuar drejtpërdrejt nga armët bërthamore dhe programet raketore të Koresë së Veriut, e cila drejtohet nga Kim Jong Un. Shteti i izoluar njëpartiak në veri e konsideron SHBA-në si armiqësore.

Ministrat e Mbrojtjes ranë dakord gjithashtu për të zgjeruar manovrat e përbashkëta ushtarake dhe bashkëpunimin me Japoninë. As Japonia dhe as Koreja e Jugut nuk kanë armë bërthamore të tyre dhe të dy shtetet mbështeten në mburojën e mbrojtjes bërthamore të Uashingtonit.

Sipas një deklarate të përbashkët në Seul, strategjia e re pasqyron udhëzimet për vendosjen e të gjitha kapaciteteve ushtarake të SHBA-së, si dhe të forcave konvencionale të Koresë së Jugut, në rast se Koreja e Veriut sulmon me armë bërthamore ose armë të tjera të shkatërrimit në masë.

Një shenjë e tensioneve të vazhdueshme në gadishull erdhi kur Pheniani përsëriti thirrjen e tij për shpërbërjen e Komandës së OKB-së (UNC) të udhëhequr nga SHBA-ja, e cila monitoron respektimin e marrëveshjes së armëpushimit të vitit 1953.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like