“Sër Aleks Ferguson, trajneri më i madh në histori”/ Guardiola: Unë po plakem, Klop është rivali im më i fortë

by admin
Spread the love

Pep Guardiola thotë se Jyrgen Klop është rivali i tij më i fortë dhe beson se Sër Aleks Ferguson është trajneri më i madh në histori.

Shefi i Mançester Sitit e zbuloi këtë në një intervistë me pyetjet e tifozëve me prezantuesin e “Sky Sports”, Adam Smith, ndërsa zgjedh edhe Ilkai Gyndoanin si një futbollist që ka premisa të bëhet trajner i suksesshëm në të ardhmen.

Jeni përballur me shumë trajnerë në karrierë, cili është rivali juaj më i fortë?

Jyrgen Klop!

Përse?

Arsyeja e parë pse Klop ka qenë rivali im më i fortë është sepse ne jemi përballur me njëri-tjetrin 1.000 milionë herë. Së dyti, sepse ai më ka mundur shumë dhe kjo ka qenë gjithmonë një sfidë, të përballesh me të përsëri dhe përsëri. Pra, ne e respektojmë njëri-tjetrin, të paktën, nga këndvështrimi im, unë e respektoj shumë atë. Sigurisht, ne kemi debate dhe nuk më pëlqen të mundem prej tij, por ai ka qenë rivali im më i madh për shkak të numrit të rasteve që jemi përballur me njëri-tjetrin dhe kënaqësisë kur e mposhtni, sepse ju e dini se sa e vështirë është.

Cilin do të vlerësonit si trajnerin më të mirë të historisë?

Sër Aleks është numri një, për shkak të numrit të trofeve që fitoi, ndryshimit dhe vazhdimësisë. Do thoja se menjëherë më pas janë Johan Krujf dhe Arrigo Saki. Nuk janë vetëm taktikat e tyre, është ndikimi. Saki nuk fitoi tituj si Sër Aleks, por ai ndryshoi brezat e trajnerëve dhe lojtarëve. Krujfi ndryshoi dy klube, të cilat janë Ajaksi dhe Barcelona. Në Barcelonë, ne pyetëm: “Ku do të shkojmë?” dhe ai u përgjigj: “Ok, djema, ne do të shkojmë në atë drejtim”. Duhet të kesh një personalitet të madh dhe besim të madh për ta bërë këtë. Për mua, ata janë më të mirët.

Shumë njerëz do ta vendosin emrin tuaj mes trajnerëve më të mirë ndonjëherë…

Unë jam ende në aktivitet. Kur të dal në pension, nuk e di se ku njerëzit do të më vendosin ndër menaxherët më të mirë në histori. Ti ende duhet të mbyllësh karrierën për këtë.

Në një karrierë që përfshin mbi 16 vjet dhe 36 trofe në Barcelonë, Bajern Mynih dhe Mançester Siti, cilat janë momentet më të bukura të karrierës?

Unë kam 1000 milionë kujtime të shkëlqyera. Do të thosha që trofetë janë një, sigurisht. Por në fund, kujtimet që mbeten janë momentet që jetoni në atë moment, në dhomën e zhveshjes, në fushë dhe jashtë fushe. Kjo është ajo që mbetet. Trofetë janë të bukur, duhet t’i pastroni ato, ndonjëherë! Por përvojat mbeten.

Ish-lojtarë tuajit si Mikel Arteta dhe Vinsent Kompani, janë bërë trajnerë shumë të mirë dhe përballen me ish-shefin e tyre në Premier Ligë, ndërsa jashtë Anglisë, Ksavi dhe Ksabi Alonso janë duke shkëlqyer, respektivisht me Barcelonën dhe Bajer Leverkusenin. Cilët nga futbollistët aktivë që keni trajnuar, besoni se kanë stofin për t’u bërë trajnerë të suksesshëm në të ardhmen?

Ilkai Gyndoan me 100%. Gyndoan do ishte një trajner i mirë. Ai komunikon shumë mirë, është i respektuar dhe ka pasion. Jam shumë i sigurt se do të ndodhë. Do të më pëlqente nëse ndodh. Jemi në një periudhë ku kundër meje kemi menaxherë që kanë qenë lojtarët e mi, kështu që tani e kuptoj që po plakem! Kur idhulli yt plaket ti kupton që po mbaron.

Aktualisht jeni në një krizë rezultatesh? A po vuan Siti vetëkënaqësinë?

Gjërat duhet të ndryshojnë. Është një sfidë që duhet ta kapërcejmë. Rezultatet e këqija mund të na japin shkundjen që kemi nevojë. Ne jemi në dhjetor dhe nuk ka mbaruar ende faza e parë. Ka shumë ndeshje për të luajtur. Por ne duhet të zgjohemi dhe rezultatet e këqija mund të na ndihmojnë.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

You may also like