Senatorja amerikane që kërkon arrestimin e Radoiçiçit – Shqip

by admin
Spread the love

Senatorja amerikane Jeanne Shaheen deklaroi se Milan Radoiçiç duhet të arrestohet dhe të sillet para drejtësisë për ngjarjet në Banjskë shtatorin e kaluar.

Shaheen, e cila po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, tha se është takuar veçmas me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç, duke theksuar se sa i përket Radoiçiçit, palët duhet të bashkëpunojnë.

“Mendoj se duhet ta arrestojnë Radoiçiçin dhe ta çojnë në burg. Ai pranoi përfshirjen e tij dhe atë që ndodhi më 24 shtator, me vrasjen e një polici të Kosovës dhe tre sulmuesve serbë, tani ai duhet të përgjigjet për ato veprime. Kosova dhe Serbia duhet të bashkëpunojnë për këtë çështje”, tha ajo gjatë një paneli që u fokusua në situatën në Ballkan.

Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partia udhëheqëse e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, mori përgjegjësinë për sulmin në Banjska, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter kosovar. Në përleshjet që pasuan në këtë fshat të Zveçanit mbetën të vrarë edhe tre sulmues serbë.

Kosova fajësoi Serbinë për sulmin, të cilin e konsideron terrorist, por Beogradi mohoi se ishte e përfshirë në të. Prishtina ka kërkuar që Serbia të ekstradojë Radoiçiçin.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ditë më parë ka bërë të ditur se të gjithë të dyshuarit për sulmin në Banjskë në veri të Kosovës në shtator të vitit të kaluar janë futur në sistemin ndërkombëtar të urdhër-arresteve të INTERPOL-it.

Pas ngjarjeve në Banjskë, Serbia e liroi Radoiçiçin, por me kusht që të mos udhëtonte në Kosovë.

“Ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efekt të plotë kur Serbia, e cila ofron strehim për terroristët, ua dorëzon ata autoriteteve tona për t’u përballur me drejtësinë,” tha Sveçla më 16 shkurt.

Disa ditë pas sulmit, Sveçla tha për Radion Evropa e Lirë se në sulm ishin të përfshirë “më shumë se 80 terroristë”.

Gjatë një paneli diskutimi në Mynih, senatorja demokrat Shaheen, e cila ka vizituar vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor në të kaluarën, duke përfshirë Kosovën dhe Serbinë, tha se është e rëndësishme që SHBA dhe Bashkimi Evropian të fokusohen në atë që po ndodh në Ballkanin Perëndimor, qoftë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, qoftë në Bosnje dhe Hercegovinë apo në procesin e zgjerimit të BE-së.

Për temën e fundit ajo tha se vendet që marrin vendime të vështira dhe zbatojnë reforma duhet të shpërblehen në rrugën e integrimeve evropiane.

“Ne po ndërtojmë një koalicion në Senat për të mbështetur përpjekjet në Ballkanin Perëndimor,” tha ajo.

Shaheen shtoi se ajo do të vazhdojë të bëjë presion mbi administratën e presidentit amerikan Joe Biden për të mbështetur përpjekjet e paqes në Ballkanin Perëndimor. /tesheshi.com/

 

You may also like