Sekretarja amerikane e Tregtisë mbërrin në Kinë, mes tensionesh mbi gjysmëpërçuesit

by admin
Spread the love

Sekretarja amerikane e Tregtisë Gina Raimondo, mbërriti në Pekin të dielën vonë në mbrëmje për një vizitë katër-ditore që synon të forcojë lidhjet ekonomikes mes dy vendeve.

Megjithatë zonja Raimondo tha se masat tregtare që lidhen me sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, janë jashtë çdo diskutimi.

Të premten përpara se të nisej për në Kinë zonja Rajmondo u tha gazetarëve se me këtë vizitë synohet “të mbrohet ajo që duhet, e të përparohet atje ku të mundemi”.

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të tensionuara ndërsa Shtetet e Bashkuara po punojnë me aleatët për të bllokuar qasjes e Kinës tek gjysmëpërçuesit e avancuar. Nga ana tjetër Pekini po kufizon dërgesat nga kompania e njohur e gjysmëpërçuesve ‘Micron Technology’, si ka bastisur e gjobur firmën amerikane ‘Mintz Group’ me 1.5 milionë dollarë, lidhur me atë që e cilësoi “kryerje të një pune statistikore, të pamiratuar”.

Zonja Raimondo, e cila u prit në aeroport nga zyrtari i Ministrisë Kineze të Tregtisë Lin Feng, pritet të zhvillojë takime dypalëshe me zyrtarët kinezë të hënën dhe të martën në Pekin, përpara se të shkojë në Shangai. Asaj do t’i bashkohet edhe ambasadori amerikan në Kinë, Nicholas Burns.

Zonja Raimondo bisedoi me Presidentin Joe Biden të enjten mbi vizitën e saj dhe tha se mesazhi i tij ishte se dialogu i zgjeruar me Kinën mund të lehtësojë tensionet.

Ne duam të kemi një marrëdhënie të qëndrueshme tregtare dhe thelbi i saj është komunikimi i rregullt“, tha zonja Raimondo. “Ne duhet të komunikojmë për të shmangur konfliktin”, shtoi ajo.

Republikanët në Kongres kanë kritikuar mundësinë që gjatë vizitës së saj Sekretarja Raimondo të krijojë një grup pune me Kinën, për të diskutuar mbi kontrollet e eksportit të gjysmëpërçuesve amerikanë.

Zonja Raimondo nuk konfirmoi planet për krijimin e një grupi të tillë pune, por theksoi se synonte t’u bënte të qartë zyrtarëve kinezë se “kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare, ne (SHBA) nuk negociojmë, nuk bëjmë lëshime, apo kompromis”.


Top Channel

You may also like