Sanksionet e obligojnë policinë t’i përdorë armët e konfiskuara (VIDEO)

by admin
Spread the love

Rreth 2500 armë konfiskoi Policia e Kosovës gjatë viteve 2020-2021.

Këto armë u asgjësuan, pas vendimit të formës së prerë të gjykatës për veprat për të cilat u konfiskuan.

Mirëpo, tash, armët e sekuestruara të cilat u përdorën për kryerjen e veprave të ndryshme penale, shteti i Kosovës ka vendosur që të mos i asgjësojë. Ato po kalojnë në pronësi të Policisë së Republikës së Kosovës.

Një gjë e tillë që nuk është praktikuar më parë, sipas avokatit Besnik Berisha, po ndodh për shkak se pas sanksioneve të fundit, Kosova është në një embargo të armëve.

Mbrëmjen e 11 korrikut, në emisionin Rubikon, Berisha tha se më as Shqipëria nuk po i shet armë Kosovës.

E për ta plotësuar mungesën e armëve, avokati thotë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme e kanë gjetur një metodë, që sipas tij përbën shkelje ligjore.

Berisha thotë se gjykatat, duke specifikuar atë të Ferizajt kanë nxjerrë vendime, përmes të cilave ia mundësojnë MPB-së të marrë armët të cilat janë urdhëruar për asgjësim dhe të njëjtat t’i kalojnë në pronësi Policisë së Kosovës.

Pohimet e Berishës janë konfirmuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj. Nga kjo gjykatë i kanë thënë Kiksit se ky vendim erdhi pas kërkesës së Prokurorisë së këtij rajoni.

Neni në të cilin u bazua vendimi i kësaj gjykate, përcakton se Prokurori i shtetit mund të kërkojë që pasuria e specifikuar të mbahet për shfrytëzim nga Qeveria e Kosovës.

Madje sipas nenit 420 të këtij kodi, kur me aktgjykim të formës së prerë është urdhëruar konfisikimi i sendeve dhe shkatërrimi i tyre, me kërkesë të arsyetuar të prokurorit kompetent, aktgjykimi i formës së prerë mund të ndryshohet, vetëm sa i përket shkatërrimit të sendeve që janë urdhëruar. Me rastin e ndryshimt të aktgjykimit të formës së prerë, sendet e konfiskuara u jepen në shfrytëzim institucioneve publike që janë propozuar në kërkesën e prokurorit, nëse kërkesa është e arsyeshme.

Berisha pohon se deri tani janë nënshkruar qindra vendime që këto armë t’i kalojnë policisë.

I përballur nga gazetarët lidhur me këtë çështje, sot, kryeministri i vendit, Albin Kurti, refuzoi të përgjigjet, duke rekomanduar që për këtë temë të pyetet Policia e MPB-ja.

Kiks Kosova ka dërguar pyetje në këto dy institucione për të kuptuar nëse ka vërtet mungesë të armëve, por as MPB e as Policia nuk ktheu përgjigje.

Këto dy institucione nuk u përgjigjen as në qoftë se qëndrojnë pohimet e Berishës se shtetet po refuzojnë t’i shesin armë Kosovës dhe se Policia po detyrohet t’i fus në përdorim armët e sekuestruara të cilat janë përdorur për kryerjen e veprave penale.

You may also like