Sali: Gjithçka që është jashtë kumtesës pas takimit me Sindikatën e Qendrës Klinike dhe Odën e Mjekëve është spekulim

by admin
Spread the love

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve deklaroi se gjithçka flitet jashtë kumtesës zyrtare pas takimit të djeshëm me Sindikatën e Qendrës Klinike dhe Odës së Mjekëve, është spekulim.

“Të gjitha këto janë spekulime nga qarqe të opozitës. Takimin e djeshëm që e mbajtëm është iniciuar me këtë qëllim, prononcimin e asaj që e punojmë dhe deri ku kemi arritur. Kumtesa jonë ishte e qartë, bëhet fjalë për respektimin e Marrëveshjes Kolektive. Në asnjë moment nuk përmendet ulje e pagave ose pezullim i kujdestarive, gjithçka është jashtë kësaj kumtese është spekulim me prapavijë politike”, deklaroi ministri Sali në shënimin e sotëm të Ditës Botërore të foshnjave të lindura para kohe.

Ai thotë se në vazhdimësi punojnë në promovimin e vlerave dhe reformave të reja në shëndetësi dhe diskutohet për optimizimin e shërbimeve shëndetësore, të të gjithë sistemit shëndetësor dhe të gjithë logjistikës në shëndetësi, si pjesë e strategjisë që duhet të realizohet deri në vitin 2030.

Lidhur me atë nëse do të hiqen drejtorët ekonomikë dhe Qendra Klinike “Nënë Tereza” të kthehet si në vitin 2006, me qëllim që të kursehet, ministri potencoi se ky është vetëm një segment për të cilin duhet të merren masa për realizim.

“Faza e parë është skanimi i punës së drejtorëve, më pas efikasiteti i punës së të gjitha institucioneve shëndetësore. Kjo fazë e rishikimit që filloi në tetor me siguri do të marrë kohë, por njëherë e përgjithmonë duhet të vendosim se çfarë shëndetësie do të kemi, nëse është sistem i pavarur ose efikas, që do të sigurojë një popull të shëndetshëm”, potencoi Sali.

Pyetjes nëse punonjësit shëndetësorë do të marrin rritje lineare të pagave, ministri potencoi se nevojat e të punësuarve janë real, por se ai udhëheqë politika shëndetësore dhe në pjesën e financimit ka më shumë resorë që duhet të harmonizohen për politika të caktuara.

Jam optimist dhe pres që të tejkalohen pengesat me terapinë për pacientët me kancer, thotë Sali

Shteti duhet të kujdeset për furnizimin me kohë të terapisë për pacientët e Klinikës së Onkologjisë, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për pacientë onkologjikë të ndjeshëm ndaj terapisë. Kjo është një nga arsyet pse kam kërkuar dorëheqjen e drejtorit të mëparshëm, thotë ministri i Shëndetësisë Bekim Sali në pyetjen e një gazetari se kur do të arrijë terapia për kancer.

“Jemi në komunikim me drejtorin e ri për kompensimin e atij boshllëku dhe nuk mund të specifikoj kohën pasi nuk jam i përfshirë në prokurimin e barnave, por jam optimist dhe pres që këto pengesa të tejkalohen”, theksoi ministri Sali.

Në fushën e prokurimit të barnave, ai theksoi se ende nuk flitet për centralizimin e tyre.

“Ju e dini që sëmundjet e rralla trajtohen me prokurim qendror, pajisjet janë të centralizuara, natyrisht edhe insulina blihet në mënyrë qendrore, duke e ditur që i gjithë vendi duhet të mbulohet dhe nuk duhet të ketë lëshime”, theksoi ai.

Ai shtoi se ende nuk ka një vendim për centralizimin e blerjeve. Por në aspektin financiar është më mirë sepse mundëson prokurim të centralizuar në nivel vjetor dhe me dinamikë të pagesës së detyrimeve nga Ministria

 

You may also like