Rusia rrit eksportet e thëngjillit në Evropë e Azi, Ukrainës ia ndal krejt

by admin
Spread the love

Për muaj të tërë, kritikët e kanë akuzuar Rusinë se me qëllim po i mban pezull furnizimet shtesë me gaz për Evropën përmes Ukrainës për t’i bërë presion Brukselit që t’ia miratojë gazsjellësin e ri.

Posa ta marrë dritën e gjelbër, gazsjellësi “Nord Stream 2” do t’ia mundësojë Rusisë që ta transportojë gazin drejt Evropës duke e shmangur territorin e Ukrainës, për ta lënë këtë shtet pa miliarda dollarët që fitonte në vit nga taksa e transitit të gazit.

Ndërkohë, kriza energjenike në Evropë ka ndikuar që çmimi i gazit natyror të arrijë në nivel rekord, duke lënë gjurmë në ekonomitë e ndjeshme në energji si ajo e Ukrainës, që një të tretën e nevojave për gaz e importon, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Tani duket se lufta për energji e Rusisë me Ukrainën po kalon në sektorët e rrymës elektrike dhe thëngjillit, duke e rrezikuar Ukrainën nga një krizë energjetike në dimrin që po vjen, sidomos nëse stina vjen me temperatura shumë të ulëta.

Rusia ka njoftuar se përkohësisht do ta ndërpresë transportimin e antracitit – lloj më i pastër i thëngjillit – në Ukrainë duke filluar nga 1 nëntori. Ministria e Ekonomisë e Rusisë tha se thëngjilli i nevojitet për nevoja të brendshme, ndonëse Moska e ka shtuar eksportimin e kësaj lënde në vendet tjera evropiane e në Azi.

Pezullimi i eksporteve ruse të thëngjillit u bë në kohën kur rezervat e Ukrainës tashmë janë të vogla, të prekura nga kërkesa më e madhe sesa që është pritur gjatë verës dhe prodhimit pak më të ulët se zakonisht brenda vendit.

You may also like